Maqedoni
Volers në mbrojtje të Bejlit
23.09.2014 18:35
Ambasadori i SHBA-ve në vend, Poll Volers, sqaroi se deklarata e pasardhësit të tij, Xhes Bejli, është transmetuar gabimisht dhe është nxjerrë nga konteksti...

SHBA-të nuk e kanë ndryshuar politikën ndaj Maqedonisë, ka thënë Volers, duke e quajtur një kontroversë të panevojshme zhurmën rreth kësaj deklarate.
“Kjo ishte një kontroversë e panevojshme dhe keqkuptim, si rezultat i raportimit të gabuar për ngjarjet, sepse ambasadori nuk dha deklaratë për etnitetet, por iu përgjigj pyetjes e cila kishte të bëjë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Poll Volers.
Njëherit, Volers nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a ka qenë reaksioni i përshpejtuar i MPJ-së për deklaratën e pasardhësit të tij, duke i orientuar gazetarët që një pyetje të tillë t’i parashtrojnë MPJ-së.
“Sa i përket reagimit të MPJ-së, duhet që për këtë ata t’i pyesni”- theksoi Volers.
Pasardhësi i Volersit, Xhes Bejli, në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit amerikan të mbajtur më 17 shtatorë, tha se shoqërinë maqedonase e përbëjnë më shumë se sllavë dhe shqiptarë.
Ka turq, romë dhe të tjerë. Kjo në njëfarë mënyre është mikrokozmos për pasurinë e Ballkanit dhe lidhje e tërë popullatës në një të ardhme të përbashkët.
Ndaj fjalimit të tij, MPJ dje thirri në audiencë zëvendësambasadorin amerikan për t’i shprehur reagimin e saj ndaj kësaj deklarate të ambasadorit të ri amerikan në Shkup.
FLUTURA LATIFI
