Maqedoni
Ratifikimi i protokollit për në NATO, Shekerinska: Me kohë do të bëhet, Spanja premton
06.12.2019 15:59
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ka potencuar se të gjitha forcat politike...

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ka potencuar se të gjitha forcat politike në vend është mirë që të kontribuojnë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe kjo mundësi do të jetë më 11 dhjetor, kur duhet të votohet Ligji për mbrojtje, i cili parasheh që kur kemi nevojë të kërkojmë ndihmën e aleatëve tanë. Sipas Shekerinskës, po pastrohet edhe dilema rreth votimit të protokollit në Parlamentin spanjoll, sepse tanimë atje është formuar Parlamenti.
“Qeveria është e bindur se do të mundemi me kohë ta mbarojmë ratifikimin e protokollit për anëtarësim. Gjatë bisedave të cilat i kishim me kolegët tanë spanjollë, na kanë garantuar se janë duke bërë përpjekje maksimale që ratifikimin ta votojmë shumë më shpejt, apo më mirë thënë pasi të themelohet Qeveria. Atje tanimë Parlamenti është themeluar dhe presim që në fillim të vitit 2020 ky projekt do të përfundon.”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Por, një obligim i cili i mbetet Qeverisë, është emërimi i ambasadorit të ri të RMV-së në selinë në NATO, ku sipas Shekerinskës e njëjta procedurë duhet të nisë këtyre ditëve dhe para anëtarësimit tonë zyrtarë, RMV duhet ta ketë ambasadorin e saj.
“Unë pres që nga fillimi i javës së ardhshme ta fillojmë procedurën, ndërsa ju e dini se që nga e hëna kemi të drejtë të emërojmë edhe një përfaqësues ushtarak dhe pres që në afat sa më të shkurt të mundur, të kemi edhe ambasadorin dhe kjo është vetëm një çështje ditësh kur do të mbarojë.”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
RMV tanimë i ka edhe zyrat e saj në Selinë e NATO-s në Bruksel, ku përfaqësuesi diplomatik dhe ai ushtarak priten të jenë dy personat e parë të cilët do t’i zënë vendet e tyre pranë 29 shteteve të tjera të Aleancës.
FITIM KRYEZIU
