Maqedoni
Vullnetarizmi - urë lidhëse mes popujve, shtohen vullnetarët në “Korpusin e Paqes”
06.12.2019 16:38
Vullnetarët janë ata njerëz që punojnë pa kompensim material për të mirën e shoqërisë....

Tanimë tre muaj vullnetarët amerikanë kanë zhvilluar aktivitete në të gjitha komunat e vendit tonë, në bashkëpunim të ngushtë me mësimdhënësit nxënësit e sidomos me qytetarët dhe shoqata të ndryshme. Grupit të vullnetarëve të “Korpusit të Paqes”, ju shtuan edhe 53 vullnetarë të rinj që dhanë betimin solemn. Ata mezi presin të fillojnë punën vullnetare ku t’i caktojnë. Ky grup çon në 800 numrin e vullnetarëve amerikanë që shërbejnë në kuadër të Korpusit të Paqes.
“Do të punoj në Dibër si mësimdhënëse. Kisha dëshirë të vij dhe të shërbej, të takoj kultura të reja dhe të krijoj miqësi ndërkombëtare”,- tha një vullnetare.
“Gjithashtu do të jetoj dhe punoj në Dibër, do të punoj me Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm Komunal. Këtu do të jemi përgjatë dy viteve, e cila është kohë e zakonshme e shërbimit të “Korpusit të Paqes”. Jemi të emocionuar që jemi këtu, njëkohësisht krijojmë miqësi të reja të cilët përkrahin zhvillimin e shoqërisë me kultura të ndryshme. Jemi fokusuar të shërbejmë dhe jemi të lumtur që jemi këtu”,- u shpreh një vullnetare.
Vullnetarët, jo vetëm që përfaqësojnë më të mirën të cilën ia japin SHBA-të botës, por me vete kthejnë më të mirën që mund ta japë Maqedonia e Veriut për botën dhe ShBA-të, duke ndërtuar urë shumëvjeçare të bashkëpunimit mes njerëzve, theksoi ambasadorja, Kejt Mari Bërns, në ceremoninë solemne të betimit. Të pranishmëve iu drejtuan edhe drejtori i Korpusit të Paqes, Mark Hanafin, si dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, e cila tha se misioni i Korpusit të Paqes ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë jetësore.
LEUNORA KALIQI
