Maqedoni
Rikthehen biletat njëdrejtimëshe, qytetarët: 50 denarë kushton taksia
06.12.2019 17:24
Prej më 1 janar, të gjithë ata që dëshirojnë të shfrytëzojnë transportin publik vetëm për një drejtim....

Prej më 1 janar, të gjithë ata që dëshirojnë të shfrytëzojnë transportin publik vetëm për një drejtim mund t’i blejnë biletat brenda në autobus. Çmimi për një drejtim do të kushtojë 50 denarë. Mirëpo qytetarët e anketuar nga TVM2 ndonëse duan bileta për një drejtim, nuk pajtohen me çmimin. Sipas tyre, çmimi është i lartë në krahasim me standardin jetësor. Problem tjetër e potencojnë edhe qarkullimin jo të rregullt të autobusëve.
“50 denarë për një drejtim shumë është. Me rrogat tona shumë është.”,- tha një qytetar.
“Shtrenjtë është, kush hip? Askush. 50 denarë me taksi shkoj deri në Çair apo deri në Shutkë. Shtrenjtë është shumë. Nuk ka autobusë. Po vonohemi, nuk po mundemi të arrijmë me kohë në punë. Vijnë deri në stacion, nuk ndalojnë, shkojnë. Nuk i hapin dyert.”,- tha një qytetar.
“Kjo është mirë, sepse jo të gjithë munden të gjinden, të paguajnë biletë, nuk e dinë ku është pika për të blerë bileta. Mirëpo çmimi prej 50 denarë më duket pak si i shtrenjtë.”,- u shpreh një qytetar.
“Ka shumë rrëmujë në mëngjes kur shkojmë në punë dhe në atë kohë kur dalim nga puna. Duhet të qarkullojnë më shumë autobusë në atë kohë.”,- theksoi një qytetar.
“Ne edhe autobusë nuk kemi me rregullt. Jetoj në Vizbeg dhe autobusi kur do vjen, kur do nuk vjen.”,- tha një qytetar.
Shilegov: Paketat vlejnë ende, me çmim të njëjtë
Por, numri një i kryeqytetit, Petre Shilegov, thekson se vendosja e biletave për një drejtim nuk do të thotë shtrenjtim i biletave, por vetëm mundësi për ata që nuk udhëtojnë rregullisht me transport publik. Çmimi i pakove prej 250 denarë për 10 vozitje dhe 105 denarë për tre vozitje, do të mbetet i njëjtë.
“Nga 1 janari qytetarët do të mund që t’i blejnë biletat brenda në autobusë, ajo është dedikuar para së gjithash për njerëz të cilët vijnë në qytetin tonë dhe duan të shfrytëzojnë transportin publik ose thjesht për njerëz të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në mënyrë të këtillë.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Sa i përkët ankesave të qytetarëve për mosndalimin e autobusëve në stacione, Shilegov thotë se të gjithë vozitësit që bëjnë veprime të tilla do të sanksionohen.
BELINDA KOKA ADEMI
