Maqedoni

Rritja ekonomike prej 3.6%, Zaev: Disa sektorë ishin larg pritshmërive

06.12.2019 17:44

Kryeministri, Zoran Zav, e vlerëson rritjen ekonomike prej 3.6% për kuartalin e tretë....

Kryeministri, Zoran Zav, e vlerëson rritjen ekonomike prej 3.6% për kuartalin e tretë, si të mirë por jo edhe të kënaqshme. Rritja e parashikuar nga qeveria prej 3.8 %, sipas tij, sërish mund të  ndodhë nëse kuartali i katërt realizon rritje prej 4%. Sipas tij, investimet totale në vend realizohen në nivelin e planifikimeve dhe projektet për investime kapitale në Ohër dhe Kërçovë do të ndikojnë në rritjen e BPV-së.
 
“Shpresojmë që me projektet e korrigjuara në Kërçovë dhe Ohër në investimet kapitale do të sjellin benefite në ndërtimtari, por 3.6% është poshtë parashikimeve të mia. Kam pritur që rritja për kuartalin e tretë do të jetë 4%, por performancat e ndryshme nuk kanë dhënë pritshmëri. Nëse arrijmë që në kuartalin e katërt të kemi rritje prej 4%, atëherë mund ta arrijmë parashikimin tonë prej 3.8%. Marrë parasysh se në vendet europiane rritja është 0.5 -0.8 – apo 1%, ne mund të jemi të kënaqur, por jo sa duhet.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev: Kemi strategji për thithjen e investimeve të huaja
 
Qeveria  ka strategji për investimet strategjike, planifikon ligj të ri për të tërhequr mbi 100 milion euro në shtet, sipas modelit të BE-së. Është pranuar edhe kërkesa e Këshillit të Investitorëve të Huaj që vitin e ardhshëm të ulen tatimet për 12 produkte që nuk prodhohen në vend, teksa kompanitë e huaja obligohen që fondet e kursyera t’i riinvestojnë.
 
“Ka pesë - gjashtë investitorë në vlerë totale mbi 2 miliard euro. Qëllimi është që për secilin investim të shkojmë me “leg specialis”, d.m.th  vetë marrëveshja të jetë ligj të cilin parlamenti do ta miratojë, që të mund të thithim këto investime.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev përmendi reformat e suksesshme në sferën e energjetikës me investime të mëdha në burime të ripërtërishme dhe gazifikim. Por, në promovimin e projekteve për ndërtimin e qendrave fotovoltaike mungoi zëvendëskryeministri Angjushev. Zaev tha se mosprezenca e tij nuk do të thotë se ai po zbaton vendimin për dorëheqje nga posti. Tha shkurt se Angjushev do të dorëhiqet me qeverinë teknike, kur edhe vetë kryeministri do  të largohet.
 
GAZMEND REXHEPI