Maqedoni
Miratimi i Ligjit për mbrojtje, Stoillkovski: S’ka të bëjë me anëtarësimin në NATO
06.12.2019 18:07
VMRO-ja opozitare ka reaguar ndaj thirrjes së ministres së mbrojtjes, Radmilla Shekerinska...

VMRO-ja opozitare ka reaguar ndaj thirrjes së ministres së mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, që të kontribuojnë në miratimin e Ligjit për mbrojtje në kuadër të anëtarësimit të vendit në NATO. Nga partia e Mickovskit thonë se në ligj ekzistojnë pjesë të cilat nuk kanë të bëjnë me procedurat e Armatës me standardet e NATO-s, të cilat i di edhe ministrja Shekerinska. Ata propozojnë që këto pjesë të hiqen nga ligji.
“Nëse realisht flitet për harmonizim me procedurat e NATO-s, Radmilla Shekerinska shumë mirë e din se mund që të mënjanojë pengesat dhe ligji të miratohej që dje, ose nesër. Ajo që i është thënë Shekerinskës si pengesë për arritjen e shumicës prej dy të tretave në parlament, nuk ka të bëjë me procedurat për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Zeqiri: VMRO-DPMNE mos të pengojë projektet madhore
Nga LSDM ftojnë VMRO-në të kontribuojë në interes të qytetarëve dhe jo bllokimin e projekteve madhore.
“Porosis deputetët e VMRO-DPMNE-së të harrojnë interesin partiak, të ndërpresin me bllokimin e projekteve që sjellin zhvillim dhe përparim dhe të punojnë në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.”,- tha deputeti i LSDM-së, Muhamet Zeqiri.
Dhe përderisa VMRO insiston në ratifikim të parakohshëm të protokollit të NATO-s, pushteti nuk pranon këtë kërkesë, pasi që thonë se kanë marrë konfirmim nga spanjollët se ata do ta përfundojnë punën e tyre gjatë janarit, para se të shpërbëhet parlamenti i vendit.
MERAL ISMAILI
