Maqedoni

Rasti "Zhvatja" , Kamçev: Janeva dhe Jovanovski, ishin regjisorët

06.12.2019 18:25

Rasti "Zhvatja" është konstruim i Bojan Jovanovskit dhe Katica Janevës....

Rasti "Zhvatja" është konstruim i Bojan Jovanovskit dhe Katica Janevës, ata janë regjisorë të tij, deklaroi dëshmitari, Orce Kamçev, personi të cilit iu morën 1.5 milion euro. Kamçev sqaroi në detaje se si u bë viktimë e rastit, ndërsa Jovanovski dhe Janeva janë kënaqur me këtë dhe i kanë kërkuar të holla. Në vitin 2018 për herë të parë ka qenë i njoftuar se është nën masa të veçanta të hetimit dhe këtë ia ka kumtuar avokati, Vasill Dimishkov, vëllai i gjykatëses, Vesna Dimishkova, që ia ka caktuar paraburgimin.
 
“Marrëveshja erdhi nga vëllai i gjykatëses time hetuese, me numrat e njëjtë që më vonë mi ofruan Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva. Më thoni cili avokat tjetër ka masa të veçanta të hetuesisë në kopje dhe iu ofron marrëveshje se nëse do të vijë deri tek procesi ato do të menaxhohen më shkallën e pagesës?”,- tha dëshmitari, Orce Kamçev.
 
Kamçev: Në rastin tim nuk ka politikanë të përfshirë
 
Kamçev vendosi fillimisht ta paraqesë rastin tek ish drejtori i DSK-së, Goran Nikollovski, i cili i rekomandoi prokuroren Ruskoska si njeri të besueshëm. Më pas, Kamçev ka kërkuar pranim te kryeministri Zaev, të cilit ia ka sqaruar që po i kërkohet ryshfet. Sipas tij, kryeministri ka mbetur i shikuar.
 
“Në rastin tim "Perandoria", kur deshën të më zhvasin, nuk ka pasur prani të asnjë politikani. Sikur të kishte pasur edhe për një politikan të përfshirë, unë do të tregoja. Nuk mund të akuzoj Janevën që më ka ofruar marrëveshje, sepse nuk e ka bërë. Marrëveshjen ma propozoi Bojan Jovanovski teksa unë e dëgjoja Janevën që biseduan në telefon për çështje që është e pamundur të realizohet.”,- tha dëshmitari, Orce Kamçev.
 
Kamçev: Edhe Stefanova duhet të jetë këtu
 
Kamçev këmbëngul se edhe prokurorja, Lile Stefanova, është e përfshirë në këtë rast.
 
“Vetë kam dëgjuar se si ajo i jep urdhra Lile Stefanovës, që kanë qenë të kundërligjshme. Nëse të njëjtat kanë qenë të kundërligjshme, pse Lile Stefanova nuk e paraqiti Katica Janevën tek Lubomir Joveski?”,- theksoi dëshmitari, Orce Kamçev.
 
Kamçev tha se në takimin e fundit me Janevën ajo i ka propozuar që "ta mbarojë atë punën për të cilën janë marrë vesh me Jovanovskin". Foli edhe për biznesmenë të tjerë për të cilët tha se janë zhvatur njësoj si ai. Jovanovski nga ana tjetër akuzoi Kamçevin si provokator dhe nxitës, Janeva nuk bëri asnjë pyetje. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI