Ndotja e lartë e ajrit, qytetarët të shqetësuar për shëndetin

07.12.2019 17:36

Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sipas matjeve të publikuara pothuajse çdo ditë tregojnë vlera të larta të koncentrimit të grimcave PM 10.

Sipas autoriteteve , ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë amvisëritë. Poashtu edhe komunikacioni rrugor është një nga arsyet e ndotjes, pasi rreth 60 përqind e veturave janë nën standardin Euro 4.

Në periudhën e dimrit kjo ndikon dukshëm në cilësinë e ajrit. Kjo i shqetëson qytetarët të cilët shprehen të brengosur për pasojat ndaj shëndetit kur dëgjojnë se Maqedonia e Veriut shpesh radhitet në mesin e vendeve të para me ndotje të lartë.

“Gjatë stinës së  vjeshtës edhe dimrit ajri i ndotur është më i madh, për shembull në Kumanovë,  Shkup edhe në Tetovë. Sigurisht tek gjeneratat e vjetra ndikon më shumë, atyre që janë me sëmundje kronike atyre më tepër ju pengon”.

“Jo s’më pengon se unë jam i fshatit. Kur vij këtu në Shkup më pengon ky ajër, kurse në fshat është më pastër”.

“E kujt nuk i pengon, unë s’kam asgjë por ndejhet në frymëmarje kur është koha kështu me ajër të ndotur, e ndjejnë edhe fëmijët edhe të moshuarit. E di,  duhet të marrin masa”.

“Po e di, shumë i ndotur, e shoh në TV” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Këtë vit ndotja në Shkup ka arritur kufirin prej 189 mikrogramë për metër kub. Ekspozimi i grimcave në ajër është përgjegjëse për rreth 400,000 vdekje të parakohshme në Evropë çdo vit, me një pjesë jo proporcionale në vendet e Evropës qendrore dhe lindore. Ekziston gjithashtu shqetësim në rritje për kimikatet dhe rreziqet që ato paraqesin. (Gyltene Sinani, TVM2)