Protokoli i NATO-s, ratifikimi para zgjedhjeve, Selmani: Lejohet vetëm në aspektin praktik

08.12.2019 18:05

Ratifikimi i protokolit nga qeveria e re spanjole për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO....

Ratifikimi i protokolit nga qeveria e re spanjole për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, mban pezull ratifikimin e dokumentit edhe nga parlamenti i vendit. Nëse Spanja ratifikon dokumentin gjatë periudhës parazgjedhore, atëherë hapen dilemat se sa parlamenti mund që ta votojë të njëjtën para zgjedhjeve.

Profesori universitar Bashkim Selmani spjegon se kjo do të ishte antikushtetuese, por nga aspekti praktik edhe e lejueshme pasi mandatet e deputetëve shuhen në ceremoninë solemne të formimit të parlamentit të ri.

“Në aspektin kushtetues nga moment I shpërbërjes së kuvendit dmth nuk lejohet të ushtrohet asnjë veprimtari tjetër juridiko efektive, mirpo në aspektin praktik është proces që mandatet e deputetëve shuhen me seancën solemne të kuvendit të ri, pra përbërja e kuvendit të ri. Duke u nisur nga praktika juridike në Maqedoni në vitin 2016-të, 2006-të e kështu me rradhë kur është në interesin e përgjithshëm nacional, si në këtë rast është rast kapital pra lejohet në aspektin e funksionalitetit të mandateteve gjë që lejon funksioni i mandateve të deputetëve deri në thirjen e seancës solemne të kuvendit të ri , përbërjes së re.” – thotë analisti, Bashkim Selmani.

Protokoli i NATO-s, ratifikimi pas zgjedhjeve, Selmani: Është në kuadër të kushtetutës

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka deklaruar se miratimi në parlament do të mund të bëhej nga përbërja e re e parlamentare. Profesori Bashkim Selmani thotë se kjo është në përputhje me kushtetutën dhe s’do krijonte hapësira për konteste sikurse në rastin paraprak.

“Me formimin e parlamentit të ri atëherë do të ishte edhe kushtetues, edhe ligjore edhe etike, edhe nuk do të kishte hapësirë për konteste ose interpretime eventuale të grupeve ose partive të ndryshme. Nëqoftëse pas shpërbërjes ndodh një gjë e tillë, ka hapësirë për ta kontestuar në forma të ndryshme.” – theksoi Selmani.

Propozime për ratifikimin e protokolit të NATO-s sipas modelit të Malit të Zi ka dhënë Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE. Parashikohet që dokumenti të miratohet para shpërbërjes së kuvendit dhe të hyjë në fuqi pasi I njëjti të miratohet nga qeveria spanjole.

Selmani thotë se edhe kjo praktikë ndërkombëtare është në kuadër të aspekteve juridiko kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)