Maqedoni

Zakharieva: Negociatat me RMV-në dhe Shqipërinë, paralelisht me metodologjinë

09.12.2019 11:39

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva...

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, vlerëson se nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk duhet të anulohet për shkak të propozimit të ri francez rreth metodologjisë së negociatave.
 
Sipas saj, këto dy procese,  mund të zhvillohen në mënyrë paralele.
 
“Një pjesë e reformave, të propozuara nga Franca, janë të pranueshme për Bullgarinë, por kjo nuk do të thotë se dhënia e dritës së gjelbër për nisjen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të anulohet deri në miratimin e metodologjisë së re. Që të dy proceset mund të vazhdojnë në të njëjtën kohë”, tha Zakharieva.
 
Ajo shpreson se në gjashtë muajt e ardhshëm, Shkupi dhe Tirana do të marrin dritën e gjelbër në nisjen e bisedimeve me BE-në.