Pagesa e K-15, deri në 1 vit burg për punëdhënësit që manipulojnë
Punëdhënësit kanë afat edhe pak ditë për të paguar regresin e pushimit vjetor, apo K-15 siç njihet gjerësisht...

Por, ka shumë të tillë që nuk e paguajnë fare, ose ua lëshojnë të punësuarve në xhirollogaritë e tyre, duke i urdhëruar paraprakisht që paratë duhet t’i kthejnë.
Për të gjithë ata të punësuar që nuk e kanë marrë K-15, ose që janë detyruar ta kthejnë, ka një lajm të mirë.
Ligji parasheh deri një vit burg për punëdhënësit e tillë të papërgjegjshëm. Madje, parashihen dënime edhe për ata punëdhënës që pushojnë nga puna të punësuarit që njoftojnë për mosrespektimin e detyrimit ligjor për pagesën e K-15.
Nëse punëdhënësi juaj nuk ju paguan ose ju detyron ta ktheni pagesën për K-15, është mirë të dini se ligji thotë qartë:
Ai që kërkon nga të punësuarit të kthejë pagesën e bërë në bazë të regresit për pushim vjetor, dënohet nga 3 muaj deri 1 vit burg.
Dënohet edhe punëdhënësi që do të pushojë nga puna të punësuarin që lajmëron në organet kompetente se i është kërkuar të kthejë shumën e paguar nga punëdhënësi për K-15, ose që është pushuar, sepse nuk ka pranuar ta kthejë këtë shumë.
Pra, nëse nuk e keni marrë K-15, ose e keni marrë por ju kanë detyruar ta ktheni, lajmëroni kompetentët! Ligji është në anën tuaj.
