Reforma në sistemin e pensioneve, francezët në grevë paralizohet Parisi

09.12.2019 15:13

Në ditën e pestë të grevës kundër reformës së sistemit të pensioneve në Francë....

Në ditën e pestë të grevës kundër reformës së sistemit të pensioneve në Francë, trafiku në Paris është paralizuar othuajse tërësisht. Janë pezulluar shumica e linjave të metrosë e janë anuluar mijra udhëtime me trena.

Në Paris, nuk funksionojnë fare 10 nga 16 linjat e metrosë, dhe katër linja ofrojnë shërbim të kufizuar.

Rrjeti Kombëtar Hekurudhor SNCF rekomandoi që pasagjerët të qëndrojnë në shtëpi ose të përdorin “mjete alternative të transportit”, raporton AP.

Më shumë se 50,000 pasagjerë u është dashur të ndryshojnë planet e tyre të udhëtimit.

Kompania Eurostar ka paralajmëruar se trafiku i tij do të pengohet ndjeshëm brenda katër ditëve të ardhshme, duke prekur 30,000 persona.

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua mbrëmë me kryeministrin Edouard Philippe dhe zyrtarë të tjerë për të formuar një strategji për këtë javë.

Qeveria do të bëjë një propozim të ri të mërkurën. Nuk pritet që mosha e pensionit, e cila tani është 62 vjeç, të zhvendoset, por njerëzit pritet të inkurajohen të punojnë më gjatë.