Maqedoni

Sonte, dezinfektim i tërësishëm në komunën e Tetovës

24.09.2014 15:27

Komuna e Tetovës sonte do të dezinfektojë gjatë gjithë natës, për të tretën herë, të gjithë territorin e komunës, për zhdukjen e insekteve dhe dëmtuesve të tjerë...

Nga komuna njoftojnë, sidomos bletarët, që të marrin masa mbrojtëse, që do të thotë strehimin e bletëve në kutitë e tyre, sigurimin e sasisë së nevojshme të ujit dhe moslargimin e tyre nga vendi 5-6 orë pas trajtimit të territorit.
 
Po ashtu është e nevojshme që qytetarët mos të dalin në rrugë për aq kohë sa zgjat trajtimi i qytetit, si dhe t’i largojnë veturat nga trotuaret para hapësirave të gjelbra, me qëllim që ekipet të kenë mundësi ta zbatojnë trajtimin në mënyrë të pandërprerë.
 
Procesi i dezinfektimit në këtë periudhë kohore bëhet kryesisht si masë preventive për parandalimin e sëmundjes “Gjuha e kaltër”, e cila goditi bagëtitë kryesisht në pjesën lindore të vendit.
 
Pasi që insektet janë bartësit kryesorë të kësaj sëmundjeje, procesi i dezinfektimit është mëse i nevojshëm, duke pasur parasysh faktin se afrohet festa e “Kurban Bajramit”, kur edhe kemi qarkullim dhe shit-blerje të bagëtive nga ana e qytetarëve.