Botë

Shpërthen “Ishulli i Bardhë”, kërkimi për turistët pas qetësimit të vullkanit

09.12.2019 15:32

Vullkani “Whakari” në Zelandën e Re, ka shpërthyer duke shkaktuar viktima e të lënduar....

Një grup turistësh gjendeshin thellë brenda kraterit të vullkanit vetëm pak çaste përpara shpërthimit, ndërsa të tjerët po shkonin me një varkë në ishull. 23 persona tashmë arritën të evakuohen. Kërkimin e të mbijetuarve e bën më të vështirë edhe fakti që vullkani është ende aktiv. Autoritetet frikësohen për rritje të numrit të viktimave, por për të shkuar në ishull, njëherë duhet të pritet qetësimi i aktivitetit vullkanor. 
 
“Në këtë fazë, ne besojmë se afërsisht 100 persona kanë qenë në ose rreth ishullit në kohën kur ka shpërthyer vullkani dhe disa prej tyre për momentin nuk janë gjetur. Një numër njerëzish raportohet se janë lënduar dhe po transportohen në breg.”,- tha kryeministrja e Zelandës së Re, Xhesinda Ardern.
 
“Po punojmë për të konfirmuar numrat e njerëzve që kanë qenë atje. Në këtë fazë, është shumë e rrezikshme që policia dhe shërbimet e shpëtimit të shkojnë në ishull. Vazhdojmë të vlerësojmë kushtet për të pasur të qartë se kur do të mund të shkojmë në ishull.”,- theksoi zëvendëskomisari i Policisë, Xhon Tims.
 
“Whakari”, i njohur gjithashtu si “Ishulli i Bardhë”, është një nga vullkanet më aktiv në Zelandën e Re. Shpërthimi i fundit që la pas vetes viktima ndodhi në vitin 1914 duke vrarë 12 minatorë. Një shpërthim i shkurtër e pa pasoja në njerëz ndodhi edhe në prill të vitit 2016.
 
BELINDA KOKA ADEMI