Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, ASh: Të hetohet përfshirja eventuale e ministrit

09.12.2019 16:14

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Prokuroria që të hetojë përfshirjen eventuale të ministrit të shëndetësisë....

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Prokuroria që të hetojë përfshirjen eventuale të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, në rastin “Zhvatja”, pas dëshmisë së Kamçevit se ministri ka qenë prezent në një nga takimet në shtëpinë e Bojan Jovanovskit. ASh e cilëson ironik arsyetimin e ministrit se ka qenë prezent në takimin në fjalë për të biseduar për një projekt të ndërtimit të një spitali në bazë të partneritetit privato-publik. Aleanca për Shqiptarët e rikujton ministrin se partneriteti privato-publik bëhet me paratë e taksapaguesve prandaj, asnjëherë dhe askund në shtetet e BE-së, apo edhe më tej, nuk është dëgjuar që marrëveshje apo planifikime që janë në interes të shtetit dhe popullit, të bëhen nëpër shtëpi private dhe në mënyrë konspirative. 
 
“Konsiderojmë se takime që bëhen në shtëpi private, jashtë zyrave publike dhe me persona tani më të inkriminuar dhe që dyshohen për keqpërdorime dhe korrupsion, janë dhe duhet të merren si dyshim për vepra të dyshimta penale”,- thuhet në reagimin e ASh-së.