Shqipëri, ka ende qytetarë në çadra, ekspertët në inspektim
Në Shqipëri ka ende me dhjetëra banorë të cilët qëndrojnë në çadra....

Në Shqipëri ka ende me dhjetëra banorë të cilët qëndrojnë në çadra. Më problematike situata paraqitet në Manëz, aty ku qytetarët e mbetur pa strehë ankohen se nuk kanë asnjë vëmendje nga shteti.
Ata thonë se nuk dinë se çdo të bëhet me banesat e tyre, ndërsa kushtet në çadra janë mjaft të pafavorshme në këto temperatura të ulëta.
Shqetësimin, banorët e ndanë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili prej ditësh ka qenë në terren, duke prezantuar madje edhe paketë për daljen nga kriza.
Kryeministri Rama nuk iu përgjigj shqetësimit të tyre, por zgjodhi të bënte një inspektim të banesave së bashku me një grup ekspertësh nga Izraeli, të cilët në fund do të dalin me një raport për gjendjen e banesave.
Janë rikthyer ndërkohë edhe të gjithë nxënësit në mësim, edhe pse në gjendje aspak të mirë psikologjike. Në Durrës, Thumanë e Tiranë mësimi është bërë me orë të reduktuara, ndërsa në zbatim të planit të Ministrisë së Arsimit, nxënësit janë trajnuar se si të veprojnë në rast të lëkundjeve sizmike. (Luljeta Ndoka, TVM2)
