Maqedoni

Ligji për gjuhët, Mickoski: Kemi amendamente për ta bërë ligjin kushtetues

09.12.2019 17:19

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickvoski, thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve...

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickvoski, thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte një mashtrim i Zoran Zaevit, për votat e shqiptarëve. VMRO do të ndërhyjë me amendamente, thotë Mickovski, që përkujton se çdo ligj duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe në funksion të sundimit të ligjit. Pret mbështetje edhe nga maxhoranca për ta kthyer, siç thotë, këtë ligj në ligj në përputhje me Kushtetutën. 
 
“VMRO-DPMNE do të përgatisë amendamente për Ligjin për përdorimin e shqipes, të cilat do të përfshijnë rekomandimet e komisionit dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë. Një ligj antikushtetues ta bëjmë kushtetues, në frymën e praktikave europiane që janë në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Asnjë në këtë shtet nuk duhet të ndjehet si palë e dëmtuar.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Sela: Nuk vendos Komisioni i Venecias, por Kuvendi me badenter
 
Nga Aleanca për Shqiptarët janë të prerë. Shqipja të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, pasi shqiptarët në këtë shtet nuk janë pakicë. Sa i përket vendimit të Komisionit të Venecias, kreu i ASH-së, Ziadin Sela, thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve është ligj i miratuar nga organi më i lartë ligjvënës, prandaj nuk ka pasur nevojë të merret mendim nga Komisioni. 
 
“Komisioni i Venedikut nuk është Komision që i tangon harxhimet financiare. Çështja financiare është çështje e taksapaguesve të Maqedonisë së Veriut. E dyta, Ligji për përdorimin e gjuhëve është sjellë në Parlament dhe parlamenti është organi ligjvënës që sjell ligjin. Unë u bëj apel gjithë deputetëve shqiptarë, mos bien pre e asnjë teme apo vendimi të çfarëdolloj komisioni. Ligji për gjuhën sillet me parim badinteri dhe vetëm me parim badinteri mund të pësojë ndryshime.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Komisioni i Venecias rekomandoi rishqyrtim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke pezulluar fillimisht ekzekutimin e sanksioneve deri sa të gjinden mënyrat për zbatimin e ligjit. Madje, nga komisioni thanë se ligji i ri, në disa raste shkon përtej standardeve europiane, pasi zgjeron në mënyrë të konsiderueshme përdorimin e shqipes. Kryeministri, Zoran Zaev, kërkoi që të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe paralajmëroi rishikimin e ligjit. BDI këmbëngul se duhen krijuar kapacitete për dygjuhësinë në gjyqësor, e jo të bëhen ndryshime të njëanshme ligjore.
 
Çdo përpjekje e njëanshme për zhvendosje të ekuilibrit në marrëdhëniet ndëretnike do të jetë në dëm të shtetit, përkujtoi zëvendëskryeministri Osmani një ditë më parë. Pas kësaj, nga LSDM ndryshuan qëndrim e thanë se njëherë do ta presin mendimin e plotë të Komisionit të Venecias.
 
ERSAN PAJAZITI