Komiteti i Helsinkit: Korrupsioni mbetet një nga problemet serioze
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Komiteti i Helsinkit....

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Komiteti i Helsinkit vlerëson se korrupsioni dhe vendimmarrjet në konflikt interesi janë fenomene që mbeten kryesisht të pandëshkuara, ndërkaq perceptimi i qytetarëve është se lufta kundër korrupsionit nuk jep rezultate të kënaqshme.
Sipas tyre, RMV shënon rënie të vazhdueshme në radhitjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit - një krim i rëndë që minon zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.
“Në lidhje me vlerësimet e gjendjes së korrupsionit, Komiteti rikujton Raport-Progresin e fundit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili konstaton përmirësimin e kornizës së re ligjore për parandalimin e korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës në emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Megjithatë, edhe krahas rritjes së proaktivitetit të Komisionit Kundër Korrupsionit, përfshirë edhe ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një nga problem serioze në vend.”,- thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Zaev: Luftë pa-kompromis kundër korrupsionit
Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, në profilin e tij në Facebook ka shënuar se qeveria ka gatishmëri për t’u përballur me korrupsionin.
“Sot ka vullnet të madh serioz politik dhe gatishmëri për përballje me korrupsionin në vendin tonë. Këtë e kemi dëshmuar në shumë raste kur në opinion u ngritën dyshime për përplasje të interesave ose punës jokoshiente, që e hapin portën për korrupsionin. Luftë pa kompromis kundër korrupsionit do të arrijmë vetëm me institucione transparente dhe llogaridhënies. Kështu duhet të jenë edhe institucionet përfshirë edhe ato në gjyqësi dhe prokurori”,- shkruan kryeministri Zaev, që e cilëson domosdoshmëri vetingun në gjyqësor. (Naim Ramadani, TVM2)
