Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ofrohet dhe kërkohet mito për të mbaruar punë
Një e treta e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut....

Një e treta e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut vetë ofrojnë mito për t’u kryer ndonjë punë. 50% e qytetarëve ndërkohë thonë se u është kërkuar mito nga ndonjë zyrtar apo administrator.
Të dhënat janë publikuar në raportin e OKB-së. Për një pjesë të sektorit joqeveritar, këto të dhëna janë tregues i qartë që duhet të shërbejnë si pikënisje për të hetuar se ku fillojnë rrënjët e korrupsionit.
Të gjithë jemi dëshmitarë se korrupsioni është një nga pengesat kryesore e serioze që pengojnë integrimin tonë në botën e qytetëruar, thotë Nellko Nelkovski nga Shoqata qytetare – teatër “Bohemi”, e cila ka filluar aksionin për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve se korrupsioni duhet shkulur nga rrënjët. E për të shkulur fenomenin, vetëdija duhet ngritur që nga fëmijët që duhen edukuar se nuk është normale të japësh para që dikush të të kryejë punën për të cilën paguhet.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Shkup, aktivistët ngjitën tabela alarmuese që me shifra tregojnë sa i përhapur është ky fenomen në vendin tonë.
