Rasti “Zhvatja”, Prokuroria heton se kush i publikoi incizimet e reja
Shtatë regjistrimet e reja audio të publikuara tashmë në internet....

Shtatë regjistrimet e reja audio të publikuara tashmë në internet, po hetohen gjerësisht nga Prokuroria, e cila po përpiqet të gjejë se kush të shtunën i ka postuar të njëjtat.
Ende nuk dihet nëse postuesi i audio-përgjimeve është nga brenda apo jashtë Maqedonisë së Veriut. Këtë duhet ta zbulojnë hetimet.
Bisedat e shkurtra u publikuan një ditë pas dëshmisë së biznesmenit, Orce Kamçev, për rastin “Zhvatja”. Në to përmendej edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. Por, ky i fundit thotë se nuk i ka dëgjuar bisedat, ka lexuar vetëm atë që thonë mediat. Kërkon nga MPB të verifikojë urgjentisht nga kanë dalë këto biseda e të merren masa urgjente.
Nga LSDM thonë se opozita duhet të përgjigjet se çfarë kanë financuar kompanitë e Orce Kamçevit, i dyshuar në disa raste të PSP-së për fushatën e VMRO-DPMNE-së dhe kandidates presidenciale të mbështetur nga opozita.
Të martën në gjykatë duhet të dëshmojë Ana Kamçeva.
