Maqedoni
Ndahet nga jeta Dritë Bushati, Ahmeti ngushëllon familjen
24.09.2014 15:36
Është ndarë nga jeta Dritë Bushati, nëna e ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushatit...

Ish-luftëtarët e UÇK-së e njihnin atë si “nëna Dritë”, ajo u dha mbështetje të madhe ushtarëve të UÇK-së, gjatë luftërave çlirimtare shqiptare. Familjen Bushati e ka ngushëlluar sot për humbjen edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në telegramin e ngushëllimit, Ahmeti thotë se ai dhe bashkëveprimtarët e tij pranë UÇK-së së Kosovës dhe UÇK-së së Maqedonisë kanë pranuar me shumë pikëllim lajmin për ndarjen e saj nga jeta.
“Më lejoni ju lutem të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bushati, për këtë humbje jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ne. Nëna Drita Bushati me përkujdesjen e saj prindërore për të gjithë ushtarët e UÇK-së, na lehtësoi veprimtarinë tonë të vështirë, por edhe mungesën e përkëdheljes prindërore në momente të ndërlikuara gjatë luftës”- thuhet në telegram.
“Kujtimet për nënë Dritën ia shpreha me shumë mall të birit, ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Z. Petrit Bushatit, të cilin e ngushëlloj dhe qëndroj pranë tij dhe familjes në këto momente pikëllimi, duke e bashkëndjerë dhimbjen e tyre. Kontributi i nënë Dritës do të shënohet në faqe të ndritur të historisë së luftës tonë të shenjtë dhe kujtimi për të nuk do të shlyhet asnjëherë”, përfundon letra e ngushëllimit.
