Botë
Veseli sot merret në pyetje nga Gjykata speciale në Hagë
10.12.2019 10:14
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetar i përbërjes së fundit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka udhëtuar për në Hagë...
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetar i përbërjes së fundit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka udhëtuar për në Hagë ku sot do të intervistohet nga Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë, njofton korrespodenti i MIA-s në Prishtinë.
Veseli i cili ka qenë një nga liderët e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe udhëheqës i Shërbimit Inteligjent të Kosovës (SHIK), gazetarëve në Aeroportin e Prishtinës u ka deklaruar se dëshmia e tij para hetuesve të Gjykatës ndërkombëtare paraqet “Moment ndërkombëtar për dëshmi të sërishme të pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës dhe të luftës së UÇK-së”.
“Gjykata Speciale është sfidë kundrejt krimeve të tmerrshme serbe, por njëherësh edhe moment ndërkombëtar për dëshmi të sërishme të pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës dhe luftës së UÇK-së. Çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasur fatin t’i shërbejë vendit të tij. Edhe unë jam krenar dhe falënderues ndaj kësaj. Historia e UÇK-së është histori e të drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Veseli.
Ai nuk ka treguar nëse në Hagë është ftuar në cilësi të të dyshuarit, ose si dëshmitar. Marrja në pyetje e Veselit në Hagë ishte caktuar së pari në fillim të këtij muaji që më vonë të anulohet për sot, 10 dhjetor.
Ftesë që të paraqiten para Prokurorisë, në cilësi të të dyshuarve ose dëshmitarëve për krime kundër popullatës civile shqiptare dhe popullatës serbe në Kosovë gjatë kohës dhe pas luftës së fundit me Serbinë, sipas informacioneve të deritashme kanë marrë rreth 300 ish udhëheqës ose pjesëtarë të UÇK-së.
Mes atyre që kanë marrë ftesë është edhe ish komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj i cili për shkak të kësaj në korrik të këtij viti dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit me çka u shpallën zgjedhje të parakohshme parlamentare më 6 tetor.
Hetimet siç është njoftuar janë të koncentruar në krime të supozuara në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktakuzat e para sipas mediave të Prishtinës pritet të ngritën së shpejti, ose deri në fund të këtij viti apo fillim të vitit të ardhshëm./mia
