Maqedoni
Rasti "Zhvatja", Kamçeva: Të hollat i kërkoi Jovanovski, jo Janeva
10.12.2019 16:14
Bashkëshortja e biznesmenit Orce Kamçev, avokatja, Ana Kamçeva, në seancën e sotme për rastin "Zhvatja"...

Bashkëshortja e biznesmenit Orce Kamçev, avokatja, Ana Kamçeva, në seancën e sotme për rastin "Zhvatja", dëshmoi se ish prokurorja speciale, Katica Janeva, asnjëherë personalisht nuk ka kërkuar të holla dhe nuk ka qenë prezente kur janë dorëzuar të njëjtat. Sipas saj, zhvatja është zhvilluar përmes të akuzuarit, Bojan Jovanovski. Ajo shtoi se Janeva i është lajmëruar bashkëshortit të saj përderisa ka qenë në arrest shtëpiak dhe i ka thënë se gjithçka do të jetë në rregull.
"Jovanovski na tregonte se çfarë dëshmi ka në rastin "Perandoria". Në takimin e parë me Jovanovskin në zyrën e 1TV në spikerfon u dëgjua Janeva se si bisedon me të dhe jep udhëzime. Jovanovski ishte ai që kërkonte të holla, Katica jo, asnjëherë. Në të gjitha takimet e ardhshme që kishim, Jovanovski kishte informata se kur bashkëshorti im do të dërgohet në PSP dhe cilët janë dëshmitarët.",- tha Kamçeva.
Në takimin e parë Jovanovski nuk i ka kërkuar të holla, ndërsa më pas i ka kërkuar 500 mijë euro, tha Kamçeva. Ajo tha se kanë pasur takim me Janevën në shtëpinë e Bojan Jovanovskit.
"U dakorduam me bashkëshortin t’i paguajmë 500 mijë euro, pasi që e pamë se kishim problem. 350 mijë euro në çantë i solli vjehrra, Ratka Kamçeva. I dërguam në banesën e Jovanovskit në Orman.",- theksoi Kamçeva.
Janeva u ka propozuar që garancia e ofruar prej 14 milion eurosh te gjykatësja Dimishkova ta tërheqin, pasi ajo do të propozojë arrest shtëpiak.
"Më tha që nëse kuptohet diçka nga biseda jonë, do ta dijë se është prej meje, pasi ajo ka pasur besim absolut në Jovanovskin dhe Milevskin. Tha se mund të hapë edhe lëndë të tjera të reja për bashkëshortin tim. Mburrej me pushtetin e saj".
E vetmja gjë që ka kërkuar Janeva, sipas saj, ka qenë që ajo mos të paraqitet në hapësirat e PSP-së si avokate e bashkëshortit të saj, ndërsa ka dhënë instruksione se cili avokat të vijë në PSP. Po ashtu dëshmoi edhe arkatarja e "Orha Holding", Mirjana Boshkovska, e cila shpjegoi mënyrën e mbledhjes së 710 mijë eurove dhe transportin e tyre në shtëpinë e Orce Kamçevit. Ajo tha se shumat më të mëdha të parave nga llogaritë e familjes Kamçev i ka tërhequr në dhjetor të vitit 2018 dhe në shkurt të vitit 2019.
Në rastin "Zhvatja", Bojan Jovanovski është i akuzuar për “larje parash dhe pranim të dhuratave për ndikim kundërligjor”, ndërsa Katica Janeva për veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.
FLORIJE BELULI KAMBERI
