Maqedoni
Dimitrov në Bruksel: Jemi të vendosur në rrugën evropiane
10.12.2019 16:53
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, në takim me përfaqësues të KE-së dhe grupet e deputetëve të PE-së...

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, në takim me përfaqësues të KE-së dhe grupet e deputetëve të PE-së, ka thënë se dhënia e datës për bisedime është një moment i qëlluar për të dëshmuar se BE ka kapacitete të transformohet dhe njëherit të përfshijë Ballkanin Perëndimor në vizionin e saj gjeopolitik.
“Nëse institucionet e reja të BE-së kanë qëllime strategjike më të guximshme dhe vizion gjeopolitik më të gjerë, shembulli ynë është mundësi e shkëlqyeshme për të dëshmuar se procesi aderues është mjet i vërtetë për transformimin evropian të shteteve dhe rajonit.”,- tha Dimitrov.
Osmani: Gjërat po lëvizin në kahje pozitive
Ndërkohë, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, nuk dëshiron të prejudikojë nëse në Samitin e Zagrebit BE do të japë sinjal pozitiv për vendin në drejtim të fillimit të negociatave, por thotë se gjërat po lëvizin në kahje pozitive. Ai paralajmëron takim me autoritetet e BE-së javën e ardhshme.
“Unë pres edhe më herët, mirëpo tani nuk kam më të tregoj drejt guximin për të dhënë premtim pas asaj që ndodhi në tetor, sepse si duket gjërat janë të paparashikueshme atje, mirëpo situata po zhvillohet pozitivisht. Pa thënë një premtim konkret, po punojmë sikur të ketë ndonjë vendim në pranverë.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Rute: BE nuk ka afat se kur do t’i bashkëngjitet i tërë Ballkani
Ndërkohë, kryeministri holandez, Rute, për mediat e Malit të Zi ka thënë se Holanda nuk është kundër zgjerimit, por kërkon kushte konkrete në fazën e fillimit të bisedimeve, duke u shprehur se RMV është më e avancuar se Shqipëria në këtë drejtim, por ai shton se shumë vende të BE-së nuk duan t’i ndajnë këto dy shtete.
“Disa vende të BE-së nuk dëshirojnë ndarjen dhe për këtë arsye u vendos në Samitin e fundit të Këshillit Evropian të mos ecet përpara në hapjen e bisedimeve me këto dy shtete. Holanda nuk është kundër zgjerimit, por vendet duhet të jenë të gatshme kur t’i fillojnë bisedimet, ndërsa ne duhet t’i respektojmë rregullat tona.”, – është shprehur kryeministri holandez, Mark Rute. Ai njëherit theksoi se BE nuk ka ndonjë afat konkret se kur i tërë Ballkani Perëndimor do t’i bashkëngjitet familjes evropiane.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
