Ekonomi

Qeveri, shfuqizohet Ligji për tregjet e gjelbra

10.12.2019 17:23

Qeveria ka vendosur të shfuqizojë Ligjin për tregjet e gjelbra...

Qeveria ka vendosur të shfuqizojë Ligjin për tregjet e gjelbra, i cili ishte miratuar në kuvend me propozim të një grupi deputetësh dhe pritej të hyjë në fuqi nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sqaron se në analizat e bëra nga kjo ministri sa i përket ligjit në fjalë do të dëmtoheshin të gjitha palët, e më së shumti tregtarët. Zgjidhjen e re ligjore Ministria e Ekonomisë e planifikon për vitin e ardhshëm, duke i involvuar të gjitha palët, përfshirë vërejtjet e tregtarëve.
 
“Ne kemi vendosur si Ministri e Ekonomisë, duke u bazuar në analizat dhe në efektet e mundshme që mund të ndalin nga kjo zgjidhje ligjore, që t’i propozojmë kuvendit që të ndërpritet kjo zgjidhje ligjore, por njëkohësisht kemi dhe draft final që duhet harmonizojmë me gjithë grupet e interesit, duke përfshirë odat e tregtarëve, organizatorët e tregjeve, tregtarët në tregjet e gjelbra dhe njëkohësisht me institucionet shtetërore që duhet ta implementojnë këtë ligj.”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ligji problematik për tregti në tregjet e gjelbra, i cili është i stopuar tashmë një vit, parashikonte licencim të shitësve dhe kufizim të numrit të tezgave. Gjithashtu problematike ishte dhe pamundësia që pensionistët, kategoritë sociale dhe honoraristët të posedonin licencë në tregun e gjelbër. 
 
GAZMEND REXHEPI