Maqedoni

Ligji i faljes, Murati: Me kujdes shqyrtohet lënda

10.12.2019 17:38

Gjykata Kushtetuese me kujdes po i qaset lëndës për Ligjin e faljes....

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati, duke u përmbajtur nga komentet për këtë ligj, përderisa lënda është në procedurë e sipër, hodhi poshtë mundësinë që e njëjta të shqyrtohet në seancën e nesërme të kushtetueses. Murati gjithashtu tha se varësisht nga iniciativat do të veprojnë edhe ndaj kushtetutshmërisë së Ligjit të gjuhëve.
 
“Nuk është në rend dite. Ne kemi rendin e ditës në sajtin tonë, mund edhe ta shihni nuk është nesër në rend dite kjo çështje. Si do të vijnë iniciativat ashtu edhe do të veprojmë.”,- tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati.
 
Të drejtat e njeriut, Avziu: Fokusi, në gjykata dhe prokurori
 
Komentet njeriu i parë i kushtetues i bëri në tribunën e mbajtur në Universitetin e Tetovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Dekani i Fakultetit Juridik pranë UT-së, Qebir Avziu, tha se vendi së fundmi është kritikuar mjaft për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Andaj, sipas tij, fokusi duhet të vihet në jurisprudencë.
 
“Kjo ka bërë që Maqedonia të ngec edhe drejt rrugës së BE-së, por shpresoj që në të ardhmen do të ketë përmirësime në këtë drejtim. Shteti më tepër, ashtu siç thotë i gjithë Bashkimi Evropian, duhet të fokusohet tek gjyqësori dhe Prokuroria Publike.”,- theksoi dekani në Fakultetin Juridik në UT, Qebir Avziu.
 
Pjesëmarrës në tribunë ishin edhe nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa, dhe kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, ku bashkë me studentët u diskutua për zhvillimin e të drejtave të njeriut në vend.
 
MERAL ISMAILI