Maqedoni

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Osmani: Do të respektojmë opinionin e Komisionit

10.12.2019 17:53

Qeveria do t’i respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias për Ligjin...

Qeveria do t’i respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Dilemën rreth mundësisë për zbatimin e ligjit në gjyqësi do ta mënjanojë duke përmirësuar kapacitetet në gjykata, me plane veprimi.
 
“Ndoshta ka interpretime të ndryshme për mënyrën se si do të implementohen ato rekomandime. Komisioni i Venecias thotë se nuk guxon dygjuhësia, për shkak të mungesës së kapaciteteve, të shkaktojë probleme të caktuara në gjyqësi. Sepse qasja jonë do të jetë përmes planeve të mira të veprimit të krijojmë kapacitete, me qëllim që dygjuhësia të implementohet më lehtë dhe të mos shkaktojë kurrfarë probleme në gjyqësi. Sepse, siç thashë, sa është me rëndësi e drejta për gjuhë, aq me rëndësi është edhe shteti juridik.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
 
Danev: Vërejtjet e Komisionit, si ato të VMRO-së
 
Edhe VMRO-DPMNE kërkon zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por rekomandimet e njëjta lexohen ndryshe nga palët e ndryshme. Sipas opozitës maqedonase, ligji duhet të pësojë ndryshime. VMRO po harton amendamente.  
 
“Vërejtjet e Komisionit të Venecias janë në harmoni me vërejtjet e VMRO-DPMNE-së, të cilat ne si parti i parashtruam para një vit e gjysmë, kur koalicioni qeverisës e shtynte me forcë, duke keqpërdorë simbolin e BE-së. LSDM nuk guxon të luajë me të ardhmen evropiane të shtetit. Prandaj, VMRO-DPMNE do të dorëzojë amendamente për të ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe harmonizimin e tij me rekomandimet e Komisionit të Venecias.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.
 
Komisioni i Venecias në opinionin e saj mbi Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve fton ligjvënësin të rishqyrtojë Ligjin për Gjuhët dhe në konsultim me të gjitha palët e interesuara, të marrë në konsideratë rekomandimet dhe të braktisin dispozitat e Ligjit në lidhje me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore. Të merren masat e nevojshme për të siguruar zbatim efikas të kërkesave gjuhësore të Ligjit të Gjuhëve të vitit 2008, ose të rishikojë nenin 3 të Ligjit – i cili parashikon përdorimin e shqipes në komunikim brenda dhe ndërinstitucional, duke kufizuar komunikimin zyrtar në formë të shkruar. Veç kësaj, Komisioni rekomandon edhe shtyrjen e zbatimit të sanksioneve dhe zvogëlimin e gjobave.
 
SHPËTIM NUREDINI