Maqedoni
Sereqi: Asgjë shqip në kishën e Terezës e Bogdanit
10.12.2019 18:21
Unë personalisht nuk kam merita. Por, nxora një fëmijë nga rruga, një fëmijë të uritur....

“Unë personalisht nuk kam merita. Por, nxora një fëmijë nga rruga, një fëmijë të uritur. Zoti e di se sa ditë nuk kishte ngrënë. Unë i dhashë një copë bukë. I thashë: “Haje bukën”. Ajo më pa dhe tha: “Kam frikë ta ha bukën, kam frikë pasi kur ta mbaroj, do jem sërish e uritur”.
Këto ishin fjalët e humanistes shqiptare, Nënës Terezë, nga tribuna në Oslo ku u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Ndonëse u shmangej intervistave që e bezdisnin Gonxhe Bojaxhiut, iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme atë kohë, teksa nderohej për humanitetin e saj, për të vetmen gjë për të cilën nuk donte lëvdata.
“Kjo ishte një mirënjohje e mbarë botës, sepse Nënë Tereza ishte nëna e gjithë botës, nëna e të varfërve, skamnorëve të cilët janë braktisur dhe lënë pas dore.”,- tha bibliografi i shenjtores Nënë Tereza, Anton Sereqi.
Shenjtorja nga Shkupi arriti ta bëjë të njohur komunitetin e vogël katolik të vendlindjes së saj përmes punës vetëmohuese, t’i tregojë botës sa mirësi ka mes komunitetit të saj fetar, sa përulësi mësohej në kishën e Lazër Mjedës,Pjetër e Andrej Bogdanit. Në atë kishë ku sot nuk flitet asnjë fjalë në gjuhën e Nënë Terezës. Ka vite tashmë që ajo që ka mbetur nga komuniteti i vogël katolik në Shkup kërkon me ngulm një meshë në gjuhën amtare. Por, askush nuk i dëgjon. Ata kërkojnë të paktën të respektohet ajo që është ligjore, një tabelë edhe në shqip.
“Ne këtu 20 vite nuk kemi prift shqiptar. Në vend se të vijë një prift shqiptar i cili ishte gati të na vijë, kur e shoh para 3 javësh na paraqitet një prift nga Salvadori. Mesha drejtohet në gjuhën kroate dhe maqedonase. Partitë politike shqiptare, mos tjetër, le të rreken pse gjuha shqipe nuk është në mur shembull, tabela e kam fjalën, për të cilët gjëra parashihen dënime.”,- u shpreh bibliografi i shenjtores Nënë Tereza.
Më 10 dhjetor 1979, shenjtorja Nënë Terezë mori Çmimin Nobel për Paqe, e teksa dilte nga manifestimi solemn, tha me krenari “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar”.
Komuniteti katolik në Shkup pret me padurim ditën kur populli shqiptar do të mësojë të respektojë gjuhën e Nënë Terezës, në objektin e kultit që e frymëzoi për humanizëm dhe në lutjet drejtuar Perëndisë.
ZEKIRJA MEXHITI
