ShBA, komiteti gjyqësor prezantoi akuzat ndaj Trumpit

10.12.2019 19:50

Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi akuzat formale kundër presidentit amerikan, Donald Trump....

Kryetari i Komitetit Gjyqësor, Jerry Nadler, tha se akuza e parë kundër presidentit ka të bëjë me abuzimin e pushtetit, ndërsa e dyta me pengimin e punës së Kongresit.
 
"Presidenti e sheh veten më lart se ligji", tha Nadler.
 
Nëse Komiteti Gjyqësor voton për miratimin e akuzave këtë javë, ato do t'i dorëzohen më pas Dhomës së Përfaqësuesve për votim të plotë. Trump përsëriti se "nuk ka bërë asgjë të keqe". Procedura për shkarkimin e presidentit ka nisur qysh në shtator nga demokratët, kur një informator është ankuar në Kongres, duke thënë se Trump i ka telefonuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe i ka kërkuar që ta hetojë rivalin e tij demokrat, Joe Biden, për korrupsion në Ukrainë. Biden mund të jetë sfidues i mundshëm i Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020. Trump thuhet se e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të hetimeve kundër Bidenit.