Botë

Nobeli në Letërsi për Handken, protesta e bojkot nga shumë vende

11.12.2019 13:41

Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave, pas vendimit për t’ia dhënë çmimin më të madh letrar të vitit Handkes...

Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave, pas vendimit për t’ia dhënë çmimin më të madh letrar të vitit Handkes - shkrimtarit austriak që mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.
 
Atij iu nda Çmimi Nobel për Letërsi përkundër përkrahjes së tij të hapur për presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, teksa gjykohej për krime lufte dhe gjenocid. Handke pretendoi se boshnjakët myslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk besoi se serbët kishin kryer gjenocid në Srebrenicë. Disa vende bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Të dërguarit e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit. Serbia ndërkohë e përjeton këtë çmim si të vetin. Presidenti Vuçiç e uroi shkrimtarin austriak, Peter Handke. 
 
“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të Nobelit”,- tha Vuçiç.
 
Në ditën kur u mbajt ceremonia e dorëzimit të Nobelit të Letërsisë, shoqatat e myslimanëve të Bosnjës i dërguan akademisë suedeze një mesazh të qartë me një pankartë gjigante të vendosur në zemër të Sarajevës. “Turp t’ju vijë” shkruhej në mesazh.