Maqedoni
Reformat në Administratë, Mançevski: Meritokraci, përfaqësim i drejtë dhe profesionalizëm
11.12.2019 14:57
Ligji i ri për Shërbimet e Larta Drejtuese do të ndikojë në depolitizimin e administratës....

Ministri i Administratës, Damjan Mançevski, është optimist se meritokracia do të sjellë në shprehje kuadrin profesional, me çka dukshëm do të rritej kapaciteti i punës dhe dinamika e dhënies së shërbimeve. Me reformat në administratë, sipas tij, do të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet.
“Parimi i meritokracisë, kushte të njëjta për të gjithë, përfaqësimi i drejtë i etniteteve dhe profesionalizimi i pozitave të larta udhëheqëse. Paralelisht më këtë ligj është duke u përgatitur edhe ristrukturimi i sektorit publik, që nënkupton uljen e numrit të posteve zyrtare apo gjithsej 130 institucione.”,- tha ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mancevski.
Formimi i KSHLD-së, Mançevski: Profesionistët më të mirë, jo më të mirët e partive
Më këtë ligj formohet Komision i ri për Shërbime të Larta Drejtuese, anëtarët e të cilit do të kenë mandat 5-vjeçar. Kriteret, sipas Mançevskit, ulin ndikimin politik në përzgjedhjen dhe favorizimin e ndonjërit prej kandidatëve.
“Qytetarët do të jenë të sigurtë se po zgjedhim nga më të mirët dhe me këto principe ne jemi një ndër shtetet e vetme të cilat kanë një metodologji të tillë të funksionimit, ndoshta është pak i komplikuar, por është i sigurt. Do të kemi raste kur përfaqësuesi i ndonjë partie nuk do ta kalojë filtrin, kur një kandidat mund të ketë ndoshta librezë partiake, por nuk guxon që të jetë anëtar i këtij komisioni nëse ka mbajtur ndonjë funksion në shtet.”,- deklaroi ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski.
Ky ligj nuk do të praktikohet në gjykata, në Prokurorinë Publike, institucionet e sigurisë, shërbimet e sigurisë dhe të ndjekjes, mbrojta, Armatë, përfaqësi diplomatike, komunat, në Qytetin e Shkupit, dhe as në drejtoritë të cilat themelohet me vendim të komunave.
FITIM KRYEZIU
