Maqedoni

Kontrolli në punën e shërbimeve të sigurisë, kërkohet ndryshim i legjislacionit për efikasitet

11.12.2019 15:16

Drejtori i Agjencisë tekniko-operative (ATO), për herë të parë pranon se është vështirë për të kontrolluar dhe mbikëqyrur...

Drejtori i Agjencisë tekniko-operative (ATO), për herë të parë pranon se është vështirë për të kontrolluar dhe mbikëqyrur në mënyrë të mirëfilltë punën e shërbimeve të sigurisë me mekanizmat ekzistuese të kontrollit. Zoran Angellovski dhe përfaqësuesit e komisioneve mbikëqyrëse të Kuvendit, të Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Sektorin Civil, bëjnë thirrje për ndryshimin e legjislacionit.
 
“Në këtë mënyrë si janë vendosur mekanizmat e kontrollit, nuk mund të bëhet kontroll real në ATO Për këtë arsye bëj thirrje të miratohet një ligj i ri për kontroll dhe mbikëqyrje të shërbimeve.”,- tha drejtori i Agjencisë taktiko-operative, Zoran Angellovski.
 
“Për momentin kontrollimi dhe mbikëqyrja e Kuvendit ndaj këtyre institucioneve është shpërndarë në më shumë ligje. Kur e gjithë kjo do të ishte në një vend, respektivisht në një ligj, unë jam i bindur se do të kishim më shumë efikasitet.”,- u shpreh kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Hari Lokvenec.
 
“Pa dyshim nevojitet ndryshim i legjislacionit për të zgjeruar kompetencat, mundësitë ku do të definohej saktë në cilin drejtim duhen zhvilluar kontrollet e ardhshme mbikëqyrëse.”,- tha anëtari i Komisionit për Mbikëqyrje të Komunikimeve, Trajçe Dimkov.
 
“Cilido që do të dëshirojë t’i drejtohet Këshillit nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Nuk ka ueb faqe, nuk ka asgjë, kemi vetëm një hapësirë, tavolinë dhe karrike dhe kjo është gjithçka.”,- u shpreh kryetarja e Këshillit për Mbikëqyrje Civile, Margarita Caca Nikollovska.
 
Ligji për ndjekjen e komunikimeve, Ligji për ATO-në, ai për Siguri Nacionale dhe Ligji për Koordinimin e Bashkësisë së Sigurimit dhe Zbulimit janë disa prej ligjeve reformuese që janë bërë kohës së fundit. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thekson se nuk duhet ndalur këtu.
 
“Reformat nuk kuptojnë vetëm miratimin e ligjeve por mbikëqyrjen dhe implementimin e tyre në praktikë dhe unë besoj se sfidat e ardhshme në të cilat do të orientohemi do të japin konstatim real e efektiv në implementimin e tyre në terren dhe kuptohet ndryshimi i ligjeve në rast se paraqitet nevoja, natyrisht se roli mbikëqyrës i Kuvendit, si dhomë përfaqësuese e qytetarëve, të vihet në vendin e vërtetë dhe duhet të jetë sipas Kushtetutës.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Që nga formimi i ATO-së e deri tani ka pasur disa kontrolle parlamentare, janë formuar gjashtë institucione për të mbikëqyrur punën e kësaj agjencie, ndërsa rregullisht në bazë mujore kryhen dhe kontrollet e brendshme, për të cilët përfaqësuesit tani thonë se nuk ka dëshmi në letër. Këto vlerësime u thanë në konferencën kushtuar reformave në sektorin e kundërzbulimit. 
 
REXHEP QAMILI