Zbatimi i Ligjit të Gjuhëve, Xhelili: Shqipja jashtë gjyqësorit, s’është zyrtare

11.12.2019 17:14

Ekspertët juridikë apelojnë që Ligji për Gjuhën Shqipe të mos përdoret për çështje politike....

Ekspertët juridikë apelojnë që Ligji për Gjuhën Shqipe të mos përdoret për çështje politike në periudhën parazgjedhore. Në “Argument” në TVM2, ata thonë se faktori shqiptar duhet të unifikohet dhe të këmbëngul në zyrtarizimin e gjuhës shqipe edhe në institucione sikurse janë gjykatat, për të cilën ishte shprehur i përmbajtur Komisioni i Venedikut. Zbatimi i ligjit, sipas tyre, s’mbart shpenzime të mëdha, por që nevojitet vullnet i mirë.

“A mund të jetë një gjuhë zyrtare nëse seancat gjyqësore nëpër gjykime nuk mbahen në gjuhën shqipe? Unë e them jo. E di se si zhvillonim procedurat gjyqësore, kishte raste tragjike, i akuzuari shqiptar, gjyqtari shqiptar, avokatët shqiptarë, prokurori shqiptar, të obliguar që e gjithë procedura të zhvillohet në gjuhën maqedonase.”,- tha ish gjykatësi, Fadil Xhelili.

Selmani: Nuk kushton, nevojitet vullnet i mirë

“Duhet të bëhet shtrirja e infrastrukturës teknike e komunikimit të gjuhëve. Si bëhet shtrirja në gjuhën angleze në gjitha komunikimet teknike, e njëjta duhet të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Nuk është e saktë ajo se është e kushtueshme. Asnjë gjë nuk është e kushtueshme për sa i përket vullnetit të mirë pozitiv. Po këtu është problem se nuk ka vullnet të mirë pozitiv të ligjvënësit dhe në këtë moment kur nuk ka vullnet pozitiv ligjvënësi, atëherë dalin situata kontestuese.”,- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.

Osmani: Ndërkombëtarët të kenë kritere të njëjta

Vërejtje edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar që ka standarde të ndryshme kur shqiptarët duhet të japin të drejta apo duhet t’i fitojnë të njëjtat.

“Në Kosovë, komuniteti serb është 5.39 dhe gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Kosovës. Nëse jo më tepër, shteti maqedonas le të na trajtojë ne siç trajtohen serbët në Kosovë, pavarësisht se ato trajtohen si pakicë. Pse e them kështu, se i bie që edhe komuniteti ndërkombëtar nuk paska të njëjtat kritere kur duhet shqiptarët dikujt tjetër ti pranojnë të drejtat dhe kur duhet shqiptarëve t’u pranohen të drejtat dhe kjo mendoj se është ndikim europian negativ ndaj shqiptarëve.”,- theksoi eksperti juridik, Sejfulla Osmani.

Komisioni i Venedikut udhëzon analizimin e pikave të dobëta të ligjit të vitit 2008, të punohet në ndërtimin e kapaciteteve intelektuale si dhe ofron ndihmë për zbatimin e ligjit të gjuhëve. Sipas ekspertëve juridikë, ndihma është e mirëseardhur që ata të shohin gjendjen reale dhe nevojën e zbatimit të shqipes në të gjitha nivelet. (Meral Ismaili, TVM2)