Opinioni i Komisionit të Venecias, politika me reagime kundërthënëse
Përfaqësues të institucioneve që dërguan Ligjin për Përdorim të Gjuhëve në Komisionin e Venecias për opinion...

Përfaqësues të institucioneve që dërguan Ligjin për Përdorim të Gjuhëve në Komisionin e Venecias për opinion, deri në fund të javës do të mblidhen në Qeveri për harmonizimin e qëndrimeve rreth rekomandimeve dhe Komisionit të Venecias, paralajmëroi kryeministri, Zoran Zaev.
“Ky ligj është një nga hallkat që na bashkon në shtet dhe kështu do të vazhdojmë duke ndërtuar qëndrime të përbashkëta për të gjitha rekomandimet që bën Komisioni i Venecias, përkatësisht që ato rekomandime të gjejnë zbatim.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Mirëpo, BDI, edhe pse respekton opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se Ligji i Gjuhëve është i një kategorie më të lartë, duke relativizuar kështu rekomandimet e Komisionit.
“Ne vlerësojmë mendimet që janë dhënë nga ky komision, por si çështje është e një kategorie shumë të lartë, sepse Komisioni i Venecias trajton çështje që kanë të bëjnë me minoritetet, me kartën e të drejtave të minoriteteve, kurse Ligji për përdorimin e gjuhëve buron nga një marrëveshje me garanci ndërkombëtare.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
VMRO-DPMNE-ja kërkon ndryshimin dhe plotësimin e ligjit prandaj po harton amendamente.
“Pushteti duhet të pranojë propozimin e VMRO-DPMNE-së, pasi respektimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është kusht në harmoni me “non pejper-in” francez, për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.
Por për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit duhet konsensus politik dhe votim i dyfishtë, që duket e pamundur, marrë parasysh qëndrimet e partive shqiptare. Aleanca për Shqiptarët konsideron se mendimi i Komisionit të Venedikut, është subjektiv dhe jotransparent. Edhe Lëvizja Besa është kundër rishikimit të Ligjit.
“Pa pasur të dhëna empirike, mendimi i Komisionit është i parëndësishëm pa harruar edhe faktin se mendimi nuk është obligues por vetëm këshillëdhënës.”,- tha deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
“Është një lojë e cila luhet mes LSDM-së, BDI-së dhe VMRO-së për përfitime politike. Për këtë ligj nevojitet votimi i dyfishtë apo i badenterit për të cilin sigurisht se nga asnjë deputet shqiptar nuk ka vullnet për revidimin e tij.”,- u shpreh deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëron palët e interesuara për ndërhyrje në ligj se, fillimisht, duhet të sigurojnë konsensus politik dhe votat e nevojshme sipas parimit të badenterit, e që sipas tij është e vështirë të ndodh.
“Çdo një që mendon se do të hyjë në procedurë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit duhet të ketë parasysh që duhet të sigurojë votimin e dyfishtë, gjegjësisht mbështetjen e deputetëve jomaqedonas, shumicës së tyre të cilën e përbëjnë deputetë shqiptarë.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Opinioni i Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, rastësisht ose jo, erdhi në periudhë kur partitë politike kanë rënë dakord për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe pritet që jo çështje të shfrytëzohet edhe për nevoja elektorale. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
