Maqedoni
Vazhdon projekti multietnik “Ndërtojmë ura”
24.09.2014 16:19
Të gjitha shkollat e Çairit janë të kyçura në projektin multietnik “Ndërtojmë ura”...

Sot janë shoqëruar së bashku fëmijët e shkollave “Adem Jashari” dhe “Braqa Ramiz i Hamid” nga Komuna e Shuto Orizares, për të mësuar se vetëm përmes njohjes së njëri-tjetrit parandalohen konfliktet.
“Ne të gjithë së bashku jemi ura, veçanërisht fëmijët që janë të përfshirë në këto lloj projekte. Ata ndërtojnë ura ndërmjet njerëzve këtu dhe ndërmjet komuniteteve të ndryshme, që do të thotë se njerëzit do ta kuptojnë njëri-tjetrin më shumë, do të ketë mirëkuptim më të madh, do ta njohin njëri-tjetrin dhe kjo do të mundësojë që të mos ketë konflikte. Është e rëndësishme që fëmijët ta njohin njëri-tjetrin, sepse ata janë ardhmëria”- deklaroi ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Marien Berec.
“Këtu në këtë shkollë kemi nxënës të komunitetit rom, të komunitetit shqiptar dhe komunitetit maqedonas. Jemi shumë të kënaqur sidomos nga disa shkolla tjera, ku nxënësit tanë dhe nxënësit shqiptarë janë mësuar të luajnë edhe valle maqedonase qysh edhe më herët, por jemi të kënaqur nga nxënësit maqedonas kur luajnë valle edhe në shkollën e Karposhit, nxënësit maqedonas e luajtën vallen e Shotës. Këto projekte janë të mirëseardhura, ne vazhdimisht i kemi përkrahur si Komunë e Çairit”- tha përgjegjësi i arsimit për Komunë të Çairit, Nuhi Dardhishta.
Projekti organizohet në më shumë komuna të vendit. Ai realizohet në bashkëpunim me misionin e OSBE-së, Ambasadën Zvicerane dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
