Maqedoni
Udhëzues mediatik për të ndalur gjuhën e urrejtjes
24.09.2014 16:22
Që të jenë më të kujdesshëm, të mbrohen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe ta identifikojnë atë më lehtë në të ardhmen...

Që të jenë më të kujdesshëm, të mbrohen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe ta identifikojnë atë më lehtë në të ardhmen, mediet dhe institucionet gjegjëse do të marrin udhëzime nga një broshurë të cilën po e përgatit Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele dhe Agjencia për Komunikime Elektronike në bashkëpunim me ekspertë të BE-së.
Ekspertët nga BE dhe ata vendorë, presin që kjo broshurë e cila realizohet në kuadër të projektit IPA 2009, të ngritë vetëdijen e të gjithë faktorëve relevant për nevojën e një balancë midis të drejtave të garantuara me ligj për lirinë e shprehjes dhe asaj që quhet “gjuhë e urrejtjes”.
“Përpunimi i udhëzimit për mbrojtjen e medieve kundër gjuhës së urrejtjes është pjesë e projektit IPA-2009 dhe ka për qëllim forcimin e kapaciteteve administrative të të dy trupave rregullatorë, AKE-së dhe Agjencisë për Media. Broshura është në fazë të përpunimit për të cilin po na ndihmon eksperti nga IPA 2009. Kjo broshurë për 30 apo 40 ditë do të përfundohet dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për të shmangur mediet gjuhën e urrejtjes”- deklaroi drejtori i ASHAAV-së, Zoran Trajçevski.
“Para së gjithash, kjo punëtori ka për qëllim që të shpjegojë lidhjen midis lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes. Të definojë se deri ku mund të shkojë liria e shprehjes dhe prej ku fillon gjuha e urrejtjes. Pra, tu ndihmojë medieve që ta bëjnë këtë bilanc, si dhe tu ndihmojë institucioneve gjegjëse që ta identifikojnë atë lloj gjuhe të urrejtjes dhe ta luftojnë atë”- tha ekspertja e të drejtës për media-IPA-2009, Jelena Surçulija Milojeviq.
Për projektin në fjalë, nga IPA-fondet janë siguruar një milionë euro, ndërsa zbatimi i tij ka filluar nga shtatori i vitit 2013 dhe do të zgjasë deri në mars të vitit 2015.
NAIM RAMADANI
