Tërmeti në Shqipëri, gati arrestimet e para në Durrës

12.12.2019 09:42

Viktimat dhe dëmet e mëdha të shkaktuara gjatë tërmetit...

Viktimat dhe dëmet e mëdha të shkaktuara gjatë tërmetit nga lejet e ndërtimit problematike duket se nuk do të kalojnë pa u dënuar nga institucionet e drejtësisë.

Gazetarja Glidona Daci bën me dije për abcnews.al se prokuroria ka mbledhur tashmë prova në çdo pallat të dëmtuar për shkak të tërmetit, gjë e cila do të bëjë që shumë shpejt personat përgjegjës të shkojnë para drejtësisë.

Në lidhje me këtë, pritet që në ditët në vijim të bëhen arrestimet e para për shkelësit pasi shkeljet duket të jenë të mëdha.

Prokuroria e Durrësit kishte nisur që më datë 29 nëntor çështjen penale për tërmetin nga i cili janë shembur disa ndërtesa duke shkaktuar vdekjen e 25 personave vetëm në këtë qytet.

Bilanci përfundimtar i tërmetit ishte 52 të vdekur dhe rreth 1 mijë të lënduar.

Prokurorët dyshojnë se shkak për shembjen e godinave janë bërë ndërtimet pa leje, por edhe moskryerja e detyres nga inxhinierët zbatues si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.