Britani, sot mbahen zgjedhjet parlamentare

12.12.2019 13:29

Votuesit britanikë votojnë sot për zgjedhjet parlamentare....

Votuesit britanikë votojnë sot për zgjedhjet parlamentare, për herë të dytë qëkur Mbretëria e Bashkuar votoi për Brexit-in, apo daljen nga Bashkimi Evropian.

Vendvotimet në 650 zonat elektorale në të gjithë Anglinë, Uellsin, Skocinë dhe Irlandën Veriore u hapën në orën 07:00 sipas kohës lokale. Vendvotimet mbyllen në orën 22:00 sipas kohës lokale dhe pastaj fillon numërimi. Shumica e rezultateve do të shpallen në orët e para të mëngjesit të së premtes. 

Gjithsej 650 deputetë do të zgjedhen sipas sistemit të parë të së kaluarës, të përdorur për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilin zgjidhet kandidati që siguron më shumë vota në secilën zonë elektorale. Këto po konsiderohen si zgjedhjet më të rëndësishmet në historinë e Britanisë, pasi vendosin fatin e Brexit, të ardhmen e vendit dhe Bashkimit Europian. 

Kryeministri Johnson thirri këto zgjedhje me shpresën për të marrë një mazhorancë më të plotë për të përfunduar me sukses largimin nga BE me aprovimin e ujdisë së re për Brexit në Parlament. Ndërsa opozita laburiste kërkon një referendum të ri për Brexit.

Sondazhet tregojnë se konservatorët në pushtet janë favoritë në këto zgjedhje të parakohshme, megjithatë nuk përjashtohen dhe surprizat pasi një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë ende të pavendosur.