Rritet numri i turistëve, Bekteshi: Po ndikojnë masat që kemi marrë
Numri i turistëve që vizitojnë Maqedoninë e Veriut vazhdon të shënojë rritje....

Numri i turistëve që vizitojnë Maqedoninë e Veriut vazhdon të shënojë rritje, informon ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 3.4% më shumë turistë ka pasur në periudhën janar-shtator në krahasim me një vit më parë.
Krahas turistëve të huaj, rritje është shënuar edhe te turistët vendorë. Bekteshi e sheh këtë rritje si rezultat i masave që po implementon qeveria.
“Me masat të cilat kemi filluar t’i implementojmë këto dy vite, ndikojmë edhe në rritjen e turistëve vendas në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Andaj, edhe fluksi i valutave në Maqedoninë e Veriut krahasuar me vitin paraprak ka një rritje të konsiderueshme prej mbi 15%.”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga Asociacioni për Turizëm thonë se për të tërhequr turistët duhet një analizë specifike e target grupeve të interesuara për të vizituar vendin tonë dhe çfarë atraksionesh mund t’i tërhiqnin të njëjtët.
“30 vitet e ardhshme, klientët kryesorë do të jenë personat prej moshës 50 deri në 70 vjeç nga Perëndimi. Ata persona janë ata që tani janë në të dyzetat. Të gjithë janë vitalë dhe kanë para dhe ata janë klientela kryesore ku duhet të drejtohemi dhe për të cilët motiv kryesor për udhëtim do të jetë përjetimi dhe përvoja.”,- tha kryetari i Asociacionit për Turizëm, Vllatko Sulev.
Vërehet edhe rritje e turistëve që vijnë nga vendet fqinje, ku turistët nga Turqia kanë një rritje të madhe prej 150%, nga Greqia për 63%, nga Bullgaria për 27%. Rritje vërehet edhe te turistët polakë, holandezë dhe finlandezë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
