Maqedoni
Çairi vëllazërohet me komunat arbëreshe të Italisë
24.09.2014 16:50
Komuna e Çairit dhe delegacioni i arbëreshëve të Italisë nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili ngërthen vëllazërimin e të gjitha komunave shqiptare me ato arbëreshe...

Bashkëpunimi në të ardhmen do të përfshijë shumë sfera, por rëndësi e veçantë do t’iu kushtohet bashkëpunimit në sferën e arsimit.
“Të gjitha komunat shqiptare në R. M. do të vëllazërohen me të gjitha komunat arbëreshe, por ky vëllazërim do të përfshijë edhe fusha tjera, si universitetet, shkollat e mesme, institutet albanologjike në të gjitha fushat institucionale”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Sot, ne po bëjmë hapin e parë të një bashkëpunimi, shpresoj se ky bashkëpunim do të thellohet në sferën e kulturës, si dhe fushës së turizmit mes të dyja vendeve”- tha kryetari i Bashkësisë së komunave arbëreshe, Kozmo Adinani.
“Traditën, gjuhën, kulturën arbëreshe ne e kemi ruajtur, por tani na paraqiten probleme me migrimin e të rinjve në vende të ndryshme të Evropës, andaj mendoj se ky bashkëpunim do të ndikojë që të rinjtë tanë të mos e harrojnë prejardhjen e tyre arbëreshe”- theksoi kryetari i Komunës së Shën Sofisë, Xhan Franko Ceremela.
“Do të nxisim edhe shkollat arbëreshe të vizitojnë shkollat shqiptare në Maqedoni, por shpresoj se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe në sferën e ekonomisë dhe ndërmarrësit do të përforcojnë edhe më shumë bashkëpunimin e tyre”- u shpreh ambasadori i Italisë në Maqedoni, Ernesto Masim Belelli.
Manifestimi “Java arbëreshe” mbahet nën përkujdesjen e veçantë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa ka për qëllim që 40 komuna arbëreshe në Itali të komunikojnë me komunat shqiptare në Maqedoni dhe në këtë mënyrë të arrihet një bashkëpunim i frytshëm në shumë sfera institucionale.
FLUTURA LATIFI
