Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mbi 6000 amendamente nga BDI dhe VMRO-DPMNE

12.12.2019 17:45

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë përplasur partitë politike....

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë përplasur partitë politike, madje jo vetëm midis pushtetit dhe opozitës, por edhe brenda vetë koalicionit qeverisës.
 
LSDM mbetet në qëndrimin se mbështesin propozimin për një njësi zgjedhore, ndërkaq partneri i koalicionit BDI dhe VMRO-DPMNE, për ta penguar këtë propozim kanë dorëzuar mbi 6.000 amendamente. Vetëm BDI ka dorëzuar rreth 5.000 amendamente. Sipas tyre, ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor përpara zgjedhjeve janë precedent i rrezikshëm me pasoja të cilat për momentin nuk mund të vlerësohen.
 
“Çdo model zgjedhor me një njësi zgjedhore është katastrofal për shqiptarët në RMV, për arsye se shqiptarët humbin nga 8 deri në 11 deputetë në proces zgjedhor.  Dhe në qoftë se Maqedonia është një zonë zgjedhore dhe këtë duhet ta dinë të gjitha partitë politike shqiptare, të gjithë qytetarët shqiptarë, për arsye se ekziston një besim i gabuar. Çdo simulacion, përfshirë edhe ky i fundit që është bërë, tregon se shqiptarët mesatarisht humbin 10 deputetë nga fuqia e përgjithshme në këtë Kuvend.”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.
 
VMRO-DPMNE ka dorëzuar gjithsej 1200 amendamente. Sipas tyre, qëllimi i amendamenteve është që të tregohet se për ligjet zgjedhore duhet konsensus të gjerë politik dhe të mos vendoset dy muaj përpara shpërndarjes së Kuvendit.
 
“Nuk mundet që të miratohet kod i ri zgjedhor pa përkrahjen e të partive më të mëdha relevante edhe atë një muaj apo dy para zgjedhjeve. Propozimi për ndryshimet e Kodit Zgjedhor vetëm dy muaj para shpërndarjes së parlamentit do të thotë se partia kryesore në pushtet dëshiron që vetëm ta lajë fytyrën para partive më të vogla se atë që e ka premtuar me programin zgjedhor formalisht po e vë në rend dite duke e ditur se nuk do të kalojnë propozimet.”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM kanë ftuar BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në të tërheqin amendamentet, pasi që ndryshimet, sipas tyre, janë në funksion të qytetarëve.
 
“Ftoj mbase edhe partnerin e koalicionit të shqyrtojë hapin dhe t’i tërheqë amendamentet deri në fillimin e debatit në komision dhe të zhvillojmë debat cilësorë. Ftoj edhe VMRO-DPMNE-në si parti t’i tërheqë amendamentet dhe të vihemi në funksion të shtetit, demokracisë dhe qytetarëve. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të gjithë fitojmë para së gjithash qytetarët, prandaj duhet të vihemi në funksion të qytetarëve.”,- u shpreh Kostadin Kostadinovski nga LSDM.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se dorëzimi i amendamenteve është e drejtë e partive politike. Përkujton se LSDM ka mbështetur modelin për një njësi zgjedhore dhe për të do të luftojë deri në fund. Ai ka ftuar që në fund të debatit të numërohen se sa deputetë janë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
 
NAIM RAMADANI