Maqedoni

Ligji për PTHP-në dhe akademinë, VMRO–DPMNE dorëzon rreth 5 mijë amendamente

12.12.2019 18:04

Propozim ligjet për Prokurorinë Publike dhe Akademinë për Gjykatës e Prokurorë...

Propozim ligjet për Prokurorinë Publike dhe Akademinë për Gjykatës e Prokurorë, sërish duket se do të bllokojnë punën e kuvendit në seancat e fundit para shpërndarjes së pritshme.
 
Konstandinov: VMRO bllokon debatin për të mbrojtur krimin
 
VMRO ka dorëzuar 4970 amendamente për të dy propozim ligjet dhe për LSDM-në ky është tentimi i radhës i opozitës për të bllokuar reformën në gjyqësor. 
 
“VMRO-DPMNE, me mbi 970 amendamente të dorëzuara, dëshiron të bllokojë projektligjin për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, të sigurojë mbrojtje për krimin e kryer nga zyrtarët e partisë dhe të parandalojë çdo reformë gjyqësore. Ata dorëzuan 4,000 ndryshime në projektligjin për Prokurorinë Publike, duke rrezikuar provat në lëndët të cilat janë hapur kundër tyre. Ata që janë kundër drejtësisë, VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski janë kundër çdo reforme të gjyqësorit.”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Konstandin Konstandinov.
 
Milloshovski: Mjaft vendosët flamurin e BE-së në çdo ligj
 
Por, VMRO thotë se dorëzimi i kaq shumë amendamenteve bëhet me qëllim të moslejimit të ligjeve të rëndësishme dhe keqpërdorimin e flamurit europian vetëm për t’i kaluar me procedurë të përshpejtuar. 
 
“E vërtetë është se VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar diku rreth 950 amendamente dhe arsyeja e parë është se shumica qeveritare duhet ta kuptojë që në kohë sa më të shpejtë duhet ta parandalojë keqpërdorimin që i bën ligjeve me vendosjen e flamurit europian të disa ligjeve të cilat nuk kanë lidhje me rregullativën europiane, edhe atë vetëm për qëllim që të kalojë ligjet. Në lidhje me ligjin për shërbime të Prokurorisë Publike kemi dorëzuar numër të mjaftueshëm të amendamenteve që ky ligj të mos kalojë, pasi ka për qëllim që prokurori shtetëror të marrë ingerenca të cilat nuk i takojnë të punësuarve në Prokurorinë Speciale Publike.”,- theksoi Antonio Miloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Për të dalë nga ngërçi i ri parlamentar duket se do të jetë e nevojshme një tjetër marrëveshje politike, e cila do të jetë paksa e vështirë të arrihet në një periudhë kaq të shkurtër, marrë parasysh se negociatat e deritanishme nuk sollën asnjë rezultat.
 
FITIM KRYEZIU