Maqedoni
Për gjuhën e urrejtjes nuk e kanë fajin vetëm mediet
24.09.2014 16:55
Nxitës së gjuhës së urrejtjes në media është klasa politike, ndërkohë papërgjegjësia e institucioneve pengon luftimin e kësaj dukurie...

Kështu vlerëson kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, sipas të cilit, identifikimi i gjuhës së urrejtjes dhe formulimi i përgjigjeve efektive mund të jenë mjaft kompleks, por institucionet dhe mediet duhet të ndalojnë misionin që dëshiron ta arrijë gjuha e urrejtjes.
“Përmes gjuhës së urrejtjes, klasa politike arrin që të defokusojë opinionin nga problemet e vërteta të qytetarëve dhe ata të merren me çështje të parëndësishme. Unë e di që është përgjegjësi edhe e medieve dhe gazetarëve që të luftojnë këtë dukuri të shëmtuar, megjithatë, unë mendoj se është pak e tepruar që të kërkohet përgjegjësi për këtë çështje, sepse ata nuk janë të lirë. Nuk mund të kërkosh përgjegjësi për lirinë e dikujt i cili nuk e ka atë liri. Mendoj se kjo çështje, nëse nuk eliminohet, keqpërdorimi i ndasive në Maqedoni, etnike, politike, fetare e të tjera, është e pamundur që të luftohet kjo dukuri”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Selmani thotë se Prokuroria në Maqedoni duhet të marrë shembull nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në çdo rast sanksionon gjuhën e urrejtjes.
“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, gjuhën e urrejtjes e trajton si çështje që nuk gëzon mbrojtjen në bazë të lirisë së shprehjes. Gjykata i ka pranuar si të arsyeshme intervenimet e shteteve kur kanë kufizuar lirinë e shprehjes, kur kanë konstatuar se bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes apo për nxitjen e rrënimit me dhunë të rendit kushtetues. Në Ligjin për Prokurori, prokuroria ka për obligim që me automatizëm të reagojë kur do të hetojë raste të gjuhës së urrejtjes në media dhe të ngrit procedura”- tha Selmani.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, thotë se edhe përkundër faktit që duhet të fillojë me punë Këshilli i Etikës në Media, i cili do të pranojë dhe shqyrtojë ankesat e qytetarëve për rastet e shkeljes së kodit etik, prapëseprapë për të luftuar “gjuhën e urrejtjes” duhet të angazhohen të gjithë aktorët në shoqëri.
SANIJE KASAMI
