Maqedoni

ABSh konteston gjuhën maqedonase, e cilëson si dialekt të bullgarishtes

12.12.2019 18:29

Dialekt bullgar e cilëson zyrtarisht gjuhën maqedonase Akademia Bullgare e Shkencave....

Akademikët bullgarë vlerësojnë se Karta e Gjuhës Maqedonase e miratuar nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë përmban qëndrime të pasakta dhe të papranueshme për origjinën, historinë dhe karakterin e gjuhës zyrtare në RMV, madje vlerësojnë se këto qëndrime dëmtojnë raportet midis dy vendeve.
 
“Akademikët nga Sofja, jozyrtarisht e njohin gjuhën maqedonase, por nuk mund ta njohin zyrtarisht atë. Më 3 dhjetor, AShAM pati një Kuvend ku u miratua një zgjidhje shkencore e gjuhës. Akademia e Shkencave Bullgare ka një pozicion të qartë, ajo gjuhë është formë regjionale e bullgarishtes, ajo gjithsesi është e mundshme dhe normale.”,- deklaroi zëvendëskryetari i ASHB-së, Vasil Nikolov.
 
Taki Fiti: Ka ndikim politik, jemi gati të bisedojmë
 
Taki Fiti - kryetari në largim i ASHAM-it, thotë se akademia do të dalë me qëndrim pas konsultimeve me gjuhëtarët, por e cilëson si të padrejtë involvimin e politikës në këtë çështje.
 
“Doli ai dokument ashtu siç doli, por unë kam edhe informacionet tjera se të gjithë akademikët atje nuk e mbështesin atë. Këtu është involvuar politika bullgare, që nuk është në rregull. Ne nuk do t’i prishim raportet. Do të ulemi të bisedojmë, ne kemi rënë dakord. S’ka pikë për të cilën nuk mund të diskutojmë, madje edhe për ato më të ndjeshmet.”,- tha kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.
 
Zaev: Do të zgjidhet, si të gjitha çështjet kontestuese
 
Kryeministri Zaev është optimist se edhe ky problem do të zgjidhet në frymën e marrëveshjes për fqinjësi të mirë, bashkë me çështjet e tjera të kontestueshme. 
 
“Ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase, apo pjesa dërmuese e qytetarëve, kuptohet, ne jemi shtet multietnik. Pres që kjo çështje të tejkalohet nga shteti mik i Bullgarisë, ta zgjidh në rrethin e vet dhe t’i tejkalojë këto problematika që janë pjesë përbërëse të marrëveshjes, gjegjësisht zgjidhjen e pikave siç është Goce Dellçevi dhe çështje të tjera, si probleme që tejkalohen.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ka reaguar edhe Instituti për Gjuhën Maqedonase, nga i cili e cilësojnë si provokim të qëllimshëm çdo qëndrim që mohon ekzistimin e gjuhës maqedonase me sistemin e vet të veçantë dialektik dhe historinë e vet.
 
ZEKIRJA MEXHITI