Ekonomi

Stavreski: Zona financiare sipas modelit të Luksemburgut

24.09.2014 16:59

Zonat financiare do të jenë qendra për krijimin e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve të kapitalit të jashtëm dhe mundësinë që Maqedonia...

Zonat financiare do të jenë qendra për krijimin e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve të kapitalit të jashtëm dhe mundësinë që Maqedonia të etablohet në kartën financiare në Evropë dhe në Botë. Kështu u shpreh ministri i Financave, Zoran Stavrevski, në një intervistë të dhënë për “Radion Evropa e Lirë”.
 
Ai, gjithashtu tha se formimi i zonave financiare do të bëhet sipas mënyrës së Luksemburgut, ku 25% e BPV-së bëhet nga ky lloj i shërbimeve, me çka janë krijuar rreth 44 mijë vende të reja të punës. 
 
“Kontabilistët dhe avokatët  në Luksemburg janë shumë të shtrenjtë edhe në vendet ku ka kësi lloj qendrash. Nga këto arsye, ne vlerësojmë se do të kemi njerëz të kualifikuar, të cilët e dinë sferën e bankave, e dinë drejtësinë, ekonominë, persona të cilët mund të punojnë në këto institucione dhe tu mundësojmë kushte të volitshme tatimore, ashtu siç u ofrojmë edhe investitorëve të huaj dhe në këtë mënyrë të tërheqim banka investuese të huaja, fonde për investime, që ta përcjellin kapitalin e tyre në Maqedoni”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
 
Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, gjithashtu ka potencuar se kompanitë, të cilat do të punojnë në zonat financiare, nuk do të jenë konkurrente për kompanitë vendore nga industria financiare.
 
“Ajo që në Maqedoni planifikojmë ta bëjmë dallon nga pjesa që do të kenë aktivitete në këto zona. Të gjitha këto kompani, të cilat do të punojnë këtu, nuk do të jenë konkurruese për bankat ose fondet vendore, për arsye se do të kenë për obligim që të gjithë aktivitetin ta drejtojnë kah vendet e jashtme”- tha Stavrevski.
 
Stavrevski, thotë se bëhet fjalë për një sistem në të cilin do të aplikohen të gjitha standardet ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për kualitetin e kapitalit dhe respektimin e marrëveshjeve.
 
BESIM ABDULLAI