Maqedoni
Më 15 dhjetor nis loja shpërblyese “TVSh-ja ime #shpërblimi im”
13.12.2019 14:50
“Çdo llogari fiskale është e rëndësishme”, është motoja e lojës shpërblyese “TVSh-ja ime #shpërblimi im”....

“Çdo llogari fiskale është e rëndësishme”, është motoja e lojës shpërblyese “TVSh-ja ime#shpërblimi im”, që fillon më 15 dhjetor të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 14 dhjetor të vitit të ardhshëm. Siç bën të ditur nga Ministria e Financave, Fondi shpërblyes është gjysmë milion euro, ndërsa do të ndahen gjithsej 3852 shpërblime në para në bazë ditore dhe mujore, si dhe dy shpërblime kryesore. Tërheqja e fituesve të parë është paraparë për 4 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa tërheqja e shpërblimeve kryesore është paraparë për më 18 mars dhe 19 dhjetor 2020.
“Do të kemi dy shpërblime kryesore nga tre milion denarë, tërheqja e parë e fituesve do të bëhet më 18 mars. Tërheqja e dytë do të behet në fund të dhjetorit të vitit 2020, menjëherë pas tërheqjes së fituesve të muajit. Me rëndësi është se çdo numër serik i takon një xhiroje dhe gjatë tërheqjes së fituesve fillimisht do të tërhiqet fituesi i xhiros, për shembull prej numrit një deri në dymbëdhjetë në formë elektronike, ndërsa më pas do të tërhiqet numri serik që do të jetë fitues i 50 mijë eurove.”,- tha ministrja e Financave, Nina Angellovska.
Në kuadër të kësaj loje shpërblyese për çdo ditë është paraparë të ndahen tre shpërblime prej 1000 denarësh, tre shpërblime prej 2000 denarësh dhe tre shpërblime prej 3000 denarësh, ndërsa fituesit do të përzgjidhen nga llogaritë fiskale të skenuara brenda muajit. Po ashtu brenda muajit do të ndahen edhe 15 shpërblime prej 100 mijë denarësh. Njëherit nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se gjatë këtij muaji është bërë kthimi i TVSh-së tek 100 mijë qytetarë.
GYLTENE SINANI
