Maqedoni
Forum rajonal kundër korrupsionit, ndërkombëtarët: RMV ka shënuar përparim
13.12.2019 15:20
Vendi ka filluar të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit....

Vendi ka filluar të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit, mirëpo ende duhet bërë shumë punë për t’i përforcuar kapacitetet dhe bashkëpunimin e institucioneve ndëshkuese, që duhet të luftojnë korrupsionin. Këtë e thanë përfaqësuesit në forumin rajonal kushtuar luftës kundër korrupsionit që u mbajt në Shkup.
“Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, madje vendi juaj është një nga vendet e rralla të Ballkanit që e ka shënuar këtë përparim gjatë vitit 2019 në krahasim me 2016-n. Për fat të keq 4 prej 6 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk kanë shënuar përparim, madje kanë ngecje.”,- tha drejtori i “SELDI”-së, Ruslan Stefanov.
"Korrupsioni shkatërron besimin e qytetarëve, i pengon investitorët e huaj. Të gjithë ne duhet të kyçemi për të shkatërruar atë në shoqëri, duhet të bëhet më shumë në praktikë, duhet të ndërtohet një prokurori e fortë kundër luftimit të korrupsionit.”,- theksoi Xhenifer Litlxhon nga Ambasada e ShBA-së – Shkup.
“BE lufton me rregullat e reja kundër luftës së korrupsionit. Patjetër të harmonizohen ligjet kundër kësaj të keqe. 40% prej vendeve të rajonit korrupsioni është problem kryesor në shoqëri.”,- deklaroi delegacioni i BE-së në Shkup, Frik Janmat.
Pendarovski: Rasti “Zhvatja” patjetër të ketë epilog gjyqësor
Kur bëhet fjalë për korrupsionin, kohëve të fundit përmendet rasti “Zhvatja” si shembull se deri ku mund shtrihet korrupsioni. Presidenti, Stevo Pendarovski, pret epilog përfundimtar për këtë dhe rastet e tjera të ngjashme, me çka do të rritej besimi i qytetarëve te institucionet e shtetit.
“Ne patjetër të kemi epilog përfundimtar për këtë rast dhe jo vetëm për këtë rast por edhe për rastet e tjera që paraqiten në opinion dhe pres ngritje të procedurës. Patjetër të përfundojmë deri në fund rastin “Zhvatja”, por edhe për tjerët në të cilët ka indicie nga bisedat e fundit në incizimet e reja të publikuara. Kjo duhet patjetër të ndodh, jo sepse paraqet kusht për perspektiven tonë evropiane, por edhe për të vetmin fakt për të cilën flitet me dekada të tëra se duhet të kemi funksionim të duhur të shtetit juridik.”,- u shpreh presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Pendarovski po ashtu është i mendimit se për luftë më efikase kundër korrupsionit duhet të miratohet ligji i ri për Prokurorinë Publike dhe implementimi i standareve europiane.
REXHEP QAMILI
