Maqedoni

Fondi i Inovacionit: Grande për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme

13.12.2019 16:31

Fondi për Inovacione do të ndajë grande për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme....

Fondi ka një buxhet prej 6 milion eurosh, tre prej tyre do të ndahen për ndërmarrjet që tanimë kanë aplikuar për grande, kurse gjysma tjetër për ato ndërmarrje që aplikojnë për herë të parë. Aplikimi do të kalojë në disa faza dhe do të ketë procedurë të shkurtuar për kompanitë që kanë aplikuar vitin e kaluar, thotë drejtori i Fondit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Jovan Despotovski. Ai theksoi se në këtë procedurë përfshihen më shumë se 200 ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm.
 
“Procedura e shkurtuar vlen për të gjitha ato kompani aplikuese që morën pjesë në thirrjet e vitit të kaluar për financim në bazë të Fondit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik nën çdo instrument dhe kaluan dy nga tre fazat e vlerësimit. Kjo është faza e verifikimit administrativ të kryer nga shërbimet e Fondit dhe faza e para-zgjedhjes, e cila përfshin mbi 200 ekspertë vendas dhe të jashtëm. Të gjitha ato kompani që kanë kaluar nëpër këto dy faza dhe kanë arritur fazën e vlerësimit përpara Komitetit të Miratimit të Investimeve dhe nuk kanë marrë një vendim për të aprovuar fonde, tani kanë mundësinë e riaplikimit, pasi aplikimi kalon në një procedurë të shkurtuar.”,- deklaroi drejtori i Fondit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Jovan Despotovski.
 
Thirrja publike për procedurë të rregullt do të jetë e hapur deri më 5 shkurt 2020, kurse kompanitë që aplikojnë me procedurën e shkurtuar do të kenë mundësi atë ta bëjnë deri më 27 dhjetor të këtij viti.
 
SEDAT SELIMI