Maqedoni
Vendimi i Akademisë Bullgare, disonancë mes politikës dhe shkencës bullgare
13.12.2019 17:11
Disonancë mes politikës dhe shkencës bullgare...

Ambasadori i Bullgarisë, Angel Angelov, u distancua nga vendimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se ajo paraqet normë të shkruar rajonale të gjuhës bullgare. Angelov thotë se qëndrimi zyrtar i Sofjes është ai i miratuar në Kuvendin bullgar në formë deklarate.
“Qëndrimi zyrtar i Bullgarisë është Deklarata e Kuvendit. Qëndrim më zyrtar se ky s’ka.”,- tha ambasadori i Bullgarisë, Angel Angelov.
Reagon pala maqedonase
Gjithsesi, kryeministri, Zoran Zaev, ka dakorduar takim me homologun e tij bullgar, Boris Borisov. Tha se do të ndjek të gjitha hapat e reagimit diplomatik për të sqaruar situatën.
“Unë kontaktova kryeministrin e Bullgarisë, Borisov, dhe në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër do të takohemi dhe do të bisedojmë. Ne jemi miq dhe kemi qëllim të bëhemi evropianë. Duam të shkojmë në BE. Bullgarinë e kemi mik. Zërat e këtillë disonantë nuk e ndërtojnë miqësinë.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Reagoi edhe kryetari i Republikës. Gjuha maqedonase njihet ndërkombëtarisht si gjuhë që bën pjesë në grupin e gjuhëve sllave dhe ky është fakt që s’duhet diskutuar, theksoi Pendarovski.
“Në Marrëveshjen e Ohrit ekziston dispozitë e cila thirret në konventë të OKB-së, jo në ndonjë konferencë të organizuar te ne, mes nesh. Konventë e vitit 1979, në cilën gjuha maqedonase normohet si një nga gjuhët e grupit të sllavëve të jugut dhe është e pranuar ndërkombëtarisht.”,- tha kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski.
Vendimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë erdhi si reagim pas miratimit të Kartës për gjuhën maqedonase në Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë. Me këtë qëndrim, Akademia Bullgare ra ndesh me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe Deklaratën e miratuar në Kuvendin bullgar. Në ndërkohë, komisione të posaçme të dy vendeve po zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja.
SHPËTIM NUREDINI
