Zbatimi i Ligjit të Gjuhëve, Zdravev: S’mund të zbatohet në procese gjyqësore
Këshilli Gjyqësor konteston zbatimin e gjuhës shqipe në gjykata....

Këshilli Gjyqësor konteston zbatimin e gjuhës shqipe në gjykata. Kryetari i këtij trupi, Kiro Zdravev, thotë se nuk është i mundur zbatimi i Ligjit në procedurat gjyqësore, pasi në të kundërtën do të zvarriteshin proceset.
Sipas Zdravevit, edhe ligjet aktuale u mundësojnë qytetarëve në rast se nuk e njohin gjuhën maqedonase të marrin përkthim në gjuhën amtare.
“Është evidente dhe e pakontestueshme se Ligji për përdorimin e gjuhëve shumë rëndë mund të zbatohet në gjykata, posaçërisht kur e drejta e përdorimit të gjuhës është e lidhur me gjykatësin. Ligji për procedurë gjyqësore si dhe ligje të tjera të karakterit formal përmbajnë dispozita të sakta për përdorimin e gjuhëve të palëve në procedurë. E pakontestueshme është që çdo palë në procedurë, nëse nuk e din gjuhën maqedonase, mund të përdorë gjuhë amtare. Në raste të tilla gjykata obligohet që të sigurojë përkthyes.”,- deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.
ZAEV: GRUPET E PUNËS DO TË UDHËZOJNË ZBATIMIN
Megjithatë, kryeministri, Zoran Zaev, thotë se qeveria, nëpërmjet grupeve të punës, të cilat do të duhet të formohen me BDI-në, do të rishikojë mundësitë e zbatimit të Ligjit të gjuhëve në gjykata.
“Me rëndësi është që drejtësia të vlejë njëjtë për të gjithë dhe mos të dëmtohet asnjë proces apo ndonjë e drejtë tjetër. Nëpërmjet grupeve të punës do të shqyrtohen të gjitha modalitetet si të zbatohen udhëzimet e Komisionit të Venecias.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Këshilli Gjyqësor, edhe pse mbështet vërejtjet e Komisionit të Venecias, thonë se do të zbatojnë çfarëdo ligji që do të miratohet. Pushteti ditë më parë paralajmëroi se zbatimi i gjuhës shqipe do të bëhet nëpërmjet dispozitave kalimtare të ligjit në afat prej një viti, duke u krijuar edhe kapacitetet për përdorimin e gjuhës shqipe. (Meral Ismaili, TVM2)
